Zëvendës ndihmës sekretari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof u shpreh se Shtete e Bashkuara të Amerikës e mbështesin punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë për 5-vjetorin e themelimit të SPAK, Kasanof theksoi se çmimi që sekretari amerikan Antony Blinken i dha kreut të SPAK, Altin Dumani si “kampion i antikorrupsionit”, ishte vlerësim edhe për Shqipërinë dhe arritjet e saj në fushën e drejtësisë.
Ai theksoi se është dashur shumë guxim dhe punë e madhe për të nisur këtë rrugëtim, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Faleminderit për mundësinë që t’iu bashkohem. Është nder dhe privilegj. Së pari, urime kryeprokurorit Dumani për shpalljen kampion i antikorrpusionit nga sekretari Blinken. Ishte ditë e madhe për Shqipërinë. Ky çmim nuk është vetëm për Dumanin, por për SPAK dhe Shqipërinë. Blinken vlerësoi punën e SPAK. Është moment emocionues, ju përgëzojmë nga Uashingtoni. U desh guxim i jashtëzakonshëm për të nisur këtë rrugëtim. Guxim për të ndërtuar një institucion nga hiçi, për të luftuar shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, theksoi ai.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato vuri në pah edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi, ndërsa shtoi se SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri.
“Nga aspektin funksional, SPAK ka ofruar rezultate të mira në disa çështje të profilit të lartë, ka rikuperuar miliona euro të pasurive të individëve të përfituara përmes korrupsionit. Kanë ndihmuar për të goditur organizatat kriminale në Shqipëri e jashtë Shqipërisë, SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri vetëm në pak vite. Janë qytetarët shqiptarë që besojnë se SPAK është institucioni më i besuar në Shqipëri, kjo është dëshmi e punës suaj të fortë. Duhet t’i hedhim sytë edhe drejt së ardhmes, nuk duhet të flemë mbi dafina, rezultati i procesit të anëtarësimit në BE do vazhdojë të mbështetet te kapaciteti dhe puna që do bëjë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Duke sekuestruar e konfiskuar këto pasuri që janë vënë në formë të paligjshme. SPAK nuk është dhe s’duhet të jetë institucioni i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar. Është e rëndësishme që SPAK të fokusohet te burimet dhe të shtjellojë më të tej instrumentet e sofistikuar për të luftuar këto çështje në nivel të lartë. Ky përforcim i punës që duhet bëtë do risjellë më shumë besimin e publikut tek sundimi i ligjit. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve të tilla duhet të jetë përpjekje e bashkërenduar në të gjithë shoqërinë”, tha ai.