Mijëra ushtarë nga divizioni elitar i ushtrisë amerikane, 82nd Airborne Division, kanë nisur të mbërrijnë në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti Donald Trump po shqyrton hapat e ardhshëm në luftën kundër Iranit.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën për Reuters në kushte anonimiteti, dislokimi i ri vjen në kuadër të rritjes së pranisë ushtarake amerikane në rajon. Më herët, administrata Trump kishte shqyrtuar mundësinë e dërgimit të mijëra trupave shtesë, duke zgjeruar opsionet edhe për ndërhyrje të mundshme brenda territorit iranian.
Parashutistët i shtohen mijëra forcave të tjera detare, marinsave dhe njësive speciale që janë vendosur tashmë në rajon. Vetëm gjatë fundjavës, rreth 2,500 marinsa amerikanë kanë mbërritur në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët nuk kanë bërë të ditur vendndodhjen e saktë të dislokimit, por kanë theksuar se një lëvizje e tillë ishte e pritshme. Forcat shtesë përfshijnë elementë të komandës së divizionit 82nd Airborne, mbështetje logjistike dhe një brigadë luftarake.
Sipas burimeve, ende nuk është marrë një vendim për dërgimin e trupave brenda Iranit, por prania e tyre synon të rrisë kapacitetet për operacione të mundshme në të ardhmen.
Një nga skenarët e diskutuar është marrja nën kontroll e ishullit Kharg, nga ku realizohen rreth 90% e eksporteve të naftës së Iranit. Një operacion i tillë konsiderohet me rrezik të lartë, pasi Irani ka kapacitet ta godasë ishullin me raketa dhe dronë.
Gjithashtu, në diskutimet brenda administratës amerikane është përfshirë edhe mundësia e përdorimit të forcave tokësore për të siguruar uranium të pasuruar ose për të garantuar kalimin e sigurt të tankerëve të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti Trump deklaroi të hënën se SHBA-ja është në bisedime me një “regjim më të arsyeshëm” për t’i dhënë fund luftës, ndërsa paralajmëroi Teheranin që të hapë Ngushticën e Hormuzit, përndryshe rrezikon sulme ndaj infrastrukturës energjetike.
Megjithatë, çdo përdorim i trupave tokësore amerikane, edhe për misione të kufizuara, mbart rreziqe të konsiderueshme politike për Trump, duke pasur parasysh mbështetjen e ulët publike në SHBA për këtë konflikt dhe premtimet e tij për të shmangur përfshirjen në luftëra të reja në Lindjen e Mesme.