Pas fasadës së një takimi konstruktiv dhe me besim të ndërsjellë, përtej deklaratave zyrtare, nga 90 minutat e bisedës mes Melonit dhe Zelenskyt del edhe një histori tjetër. Një histori në të cilën presionet e stafit ukrainas ndaj Romës u shprehën qartë dhe pa ekuivoke. Edhe nga ana e kryeministres italiane, diskutimi ishte i drejtpërdrejtë, me një mesazh që mund të përmblidhet kështu: “Merr parasysh që disa lëshime të dhimbshme ndoshta do të jesh i detyruar t’i bësh.”
Nëntëdhjetë minuta ballafaqim, të paraprira nga një takim i ngushtë i Melonit me ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto dhe atë të Jashtëm Antonio Tajani, si edhe nga takime paralele mes dy ministrave italianë dhe homologëve ukrainas, shënuan një pasdite që në Palazzo Chigi nuk ka qenë aspak e qetë. Dhe për të paktën dy apo tre arsye: Italia mbështet ritmin që amerikanët po i imponojnë negociatave; stafi i Melonit nuk është imun ndaj vlerësimeve që e shohin Zelenskyn të dobësuar pas hetimeve për korrupsion në qeverinë e tij; dhe roli i ekzekutivit tonë, siç vazhdon ta theksojë kryeministrja, është të arrijë një plan paqeje të drejtë dhe të qëndrueshëm — por duke u mbështetur më shumë në drejtimin amerikan sesa në atë europian.
Disa sinjale dhe informacione të përhapura në mbrëmje nga Fratelli d’Italia, e që më pas u shpërndanë edhe në Partinë Demokratike, përshkruajnë një kryeministre që po ushtron një lloj “moral suasion” mbi Zelenskyn edhe në emër të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë Zelensky po bën të kundërtën: i kërkon kryeministres italiane të zbusë pozicionin e Trumpit, të përpiqet të zbehë vendimin që duket se ka marrë qeveria amerikane — atë të mbylljes sa më shpejt të një plani paqeje, duke i plotësuar vetëm pjesërisht, për të përdorur një metaforë, kërkesat e Kievit.
Në mbrëmje vjen madje edhe hapja e Zelenskyt ndaj zgjedhjeve të reja — një lëvizje që duket më shumë sfidë sesa tërheqje — dhe që shton një tjetër nivel kompleksiteti në gjendjen aktuale të negociatave. Ajo që sigurisht vlen janë fjalët e qarta dhe publike që shefi i diplomacisë ukrainase, Andrii Sybiha, i vuri dje me shkrim në Palazzo Chigi: me shumë takt ai paraqiti listën e gjërave që Kievi kërkon nga Italia dhe që ende nuk i ka parë. Midis tyre: një rol më aktiv dhe më i fortë për zhbllokimin e aseteve ruse të ngrira në Belgjikë; dalja nga një gjendje pezullimi për programin Purl; pjesëmarrja në blerjen e armëve amerikane ku janë përfshirë më shumë se 15 shtete të BE-së, por jo Roma (armë që më pas do t’i kaloheshin Kievit, siç ka kërkuar vetë Trump); dhe madje edhe devijimi i një pjese të fondeve (për Italinë 15 miliardë euro), që programi europian SAFE i dedikon forcimit të ushtrive të vendeve anëtare. Italia është mes 4 shteteve nga 19 që nuk do të përdorin asnjë pjesë të këtyre fondeve për ndihma ushtarake për Ukrainën.
Ka mjaftueshëm “material” për të kuptuar se jo çdo gjë ka shkuar vaj, se disa mosdakordësi janë shprehur për herë të parë në mënyrë të prerë nga të dyja palët. Në fund të fundit, Meloni — të paktën për PD-në dhe opozitën — vazhdon të ecë me një këmbë në dy shtigje: nga njëra anë e lidhur me përpjekjet europiane për të mbrojtur Kievin, edhe nga sulmet diplomatike të SHBA-ve; dhe nga ana tjetër hezituese për të marrë distancë minimale nga qasja e ashpër që Donald Trump po i imponon negociatave.