Një operacion i madh ndërkombëtar kundër trafikut të drogës ka çuar në sekuestrimin e një sasie rekord të dyshuar kokaine në Oqeanin Atlantik, pranë Ishujve Kanarie, duke u konsideruar si një nga goditjet më të forta ndaj rrjeteve kriminale në Evropë.
Operacioni është realizuar nga autoritetet spanjolle, të cilat kanë ndaluar një anije në ujëra ndërkombëtare. Në bord janë arrestuar rreth 20 persona, ndërsa gjatë kontrollit janë zbuluar mes 35 dhe 40 ton kokainë, një sasi që e klasifikon këtë rast si “sekuestrim historik” në nivel kombëtar.
Anija dyshohet se ishte nisur nga Freetown, në Sierra Leone, me destinacion Bengazin në Libi. Sipas hetimeve paraprake, droga pritej të transferohej në anije më të vogla për t’u shpërndarë më pas në tregun evropian, duke ndjekur një nga skemat më të përdorura nga rrjetet ndërkombëtare të trafikut.
Spanja mbetet një nga pikat kryesore hyrëse të kokainës në Evropë, për shkak të pozicionit strategjik dhe lidhjeve me Amerikën Latine, si dhe afërsisë me Marokun, i njohur për prodhimin e kanabisit.
Ky operacion vjen në vijim të një serie goditjesh të mëdha nga autoritetet spanjolle. Në vitin 2024, në portin e Algeciras u sekuestruan 13 ton kokainë, ndërsa në fillim të këtij viti u kap një tjetër ngarkesë prej rreth 10 tonësh në det.
Hetimet vijojnë për të identifikuar rrjetin e plotë kriminal dhe për të zbardhur lidhjet ndërkombëtare që qëndrojnë pas këtij trafiku masiv droge.