Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi të hënën, më 4 maj, se një shpërthim i dyshuar i hantavirusit në një anije kroçiere, ku tre persona kanë humbur jetën, paraqet rrezik të ulët për publikun.
“Rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët. Nuk ka nevojë për panik apo kufizime udhëtimi,” tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, duke shtuar se infeksionet me hantavirus janë të rralla dhe zakonisht lidhen me ekspozimin ndaj brejtësve të infektuar.
Në deklaratën e saj të parë mbi ngjarjen, operatori i anijes Oceanwide Expeditions konfirmoi tre vdekje në bordin e MV Hondius, e cila po udhëtonte nga Ushuaia në Argjentinë drejt Kepit të Gjelbër, në brigjet e Afrikës Perëndimore. Dy persona vdiqën në anije dhe një tjetër pas zbritjes në tokë. Një pasagjer ndodhet në terapi intensive në Johanesburg, ndërsa dy të tjerë kanë nevojë për trajtim urgjent mjekësor.
“Autoritetet holandeze kanë rënë dakord të udhëheqin një përpjekje të përbashkët për riatdhesimin e dy personave simptomatikë nga MV Hondius nga Kepi i Gjelbër drejt Holandës,” tha operatori i anijes, duke shtuar se ky proces varet nga miratimi i autoriteteve lokale në Kepin e Gjelbër.
Një rast i konfirmuar, pesë të dyshuar
Ndërsa mjekët lokalë kanë vizituar anijen për të vlerësuar gjendjen e të sëmurëve, ende nuk është dhënë leje për evakuimin e tyre në tokë. “Zbritja dhe kontrolli mjekësor i të gjithë pasagjerëve kërkon koordinim me autoritetet shëndetësore lokale dhe jemi në konsultim të vazhdueshëm me ta,” tha operatori.
OBSH deklaroi se po vepron me urgjencë për të mbështetur reagimin ndaj këtij rasti.
Hantavirusi është konfirmuar te pasagjeri që ndodhet në terapi intensive në Johanesburg, por ende nuk është vërtetuar nëse ai ka shkaktuar tre vdekjet në bord. Po ashtu, nuk ka konfirmim për dy pasagjerët e tjerë simptomatikë që mbeten në anije. “Shkaku i saktë dhe çdo lidhje e mundshme janë nën hetim,” tha operatori.
Të dielën, OBSH njoftoi se një rast është konfirmuar dhe se ka “pesë raste të tjera të dyshuara.”
Çfarë është hantavirusi
Hantaviruset janë patogjenë që mund të shkaktojnë probleme respiratore, kardiake dhe ethe hemorragjike. Nuk ekzistojnë vaksina apo ilaçe specifike kundër tyre, ndaj trajtimi konsiston vetëm në lehtësimin e simptomave.
Ekzistojnë shumë lloje të hantavirusit, të cilët ndryshojnë sipas rajonit dhe mënyrës së transmetimit. Sipas autoriteteve shëndetësore, transmetimi nga njeriu te njeriu është jashtëzakonisht i rrallë dhe është vërejtur vetëm në një lloj të veçantë virusi.
Virusi transmetohet te njerëzit përmes brejtësve të infektuar, si minjtë, përmes pështymës, urinës ose feçeve të tyre. Infektimi mund të ndodhë edhe duke thithur pluhur të kontaminuar.
Simptomat dhe rreziku
Simptomat fillestare përfshijnë ethe, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore, të ngjashme me gripin. Në faza më të avancuara mund të shfaqen probleme serioze respiratore ose dëmtime të veshkave.
Sipas autoriteteve shëndetësore ndërkombëtare, vdekshmëria ndryshon sipas llojit të virusit dhe rajonit, duke arritur deri në 40% për disa forma të sëmundjes në Amerikë.