Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme. Mësohet se Dokushi do të merret në pyetje në lidhje me hetimet që po bëhen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Alban Dokushi është një nga njerëzit më të afërt dhe me të besuar të Veliajt, dhe e ka shoqëruar kur kryebashkiaku është marrë në pyetje nga SPAK.
Gjithashtu Alban Dokushi është i pari që ka vizituar kryebashkiakun Veliaj në qelitë e paraburgimit tek Blloku i Sigurisë tek Mine Peza, pas arrestimit të tij më 10 Shkurt.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Apeli i GJKKO la në burg Veliaj, për akuzat: korrupsion dhe pastrim parash. Po ashtu, Apeli i Posaçëm rrëzoi një kërkesë të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, për lirimin nga sekuestro të disa llogarive bankare më emrin e saj dhe kompanive që administron.
Ajola Xoxa ndodhet në masën detyrim paraqitje ndërsa akuzohet për tre vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.