Seanca zgjati vetëm 20 minuta. Mes tymueseve mazhoranca rrëzoi 6 projektligje të opozitës, ja çfarë ndodhi sot në Kuvend

Ka zgjatur vetëm 20 minuta seanca e sotme paramentare ku deputetët e opozitës kanë protestuar sërish.

Fillimisht ata grumbulluan sërish para foltores karriget e Kuvendit, në shenjë proteste për refuzimin që u bëhet kërkesave të opozitës.

Disa nga deputetët e PD u futën live nëpër rrjete sociale ku tregonin për atë që po ndodhte. Megjithatë  kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla nisi seancën plenare duke lexuar projektligjet për t’u hedhur në votim, mirëpo deputeti Saimir Korreshi ndezi disa tymuese në Kuvend.

I gjithë Kuvendi u mbush me tym ndërsa kryeparlamentarja Nikolla i bëri thirrje gardës të ndërhynte dhe përjashtoi nga seanca Korreshin.

Mes tymit Nikolla kaloi për  votim edhe rendin e ditës. Socialistët kanë qëndruar në seancë, duke votuar me kartona projektligjet në rendin e ditës. Me votat e mazhorancës u rrëzuan 6 projektligje të depozituara nga opozita.

Lindita Nikollën e ka zënë kolla disa herë për shkak të tymëseve të hapura nga Samir Korreshi por megjithatë vazhdoi të qëndronte. Në seancë u miratua vetëm projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes se huas, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Aftësia ripërtëritëse e pare dhe zhvillimi i gjelbër- hua për politikat e zhvillimit””.

Këto zhvillime vijnë pas protestës disa-ditore të deputetëve të opozitës, të cilët pretendojnë se Kuvendi është kthyer në një mekanizëm në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Kujtojmë se pak ditë më parë, disa deputetë të opozitës hyjnë nga dritaret në Kryesinë e Kuvendit, pas vendimit për përjashtimin e 26 ligjvënësve të opozitës nga Parlamenti.