Sazanin shiheni me dylbi!

Shqipëria ka vetëm një ishull, por atë nuk e kanë gëzuar asnjëherë shqiptarët, falë vendimeve të qeverive ndër vite.

Sazani ka qenë përherë një “mollë e ndaluar” për shqiptarët e thjeshtë, që kanë mundur të vizitojnë ishuj në mbarë botën, por s’kanë mundur të shijojnë bukurinë e ishullit të vetëm që natyra i fali Shqipërisë.

Jo vetëm për shkak se dukej një vend i shkretë, pa ujë dhe i vështirë për të jetuar, por se atyre iu është ndaluar. Ishulli i vetëm që kanë shqiptarët ka qenë një mollë e ndaluar për të shkelur atje. Në vitin 1920, qeveria e Vlorës, në marrëveshjen që bëri me Italinë pas Luftës së Vlorës, vendosi që Sazanin t’ia lerë nën administrim Italisë. Sazani u mor nga flota e saj, si një garanci për fituesen e Luftës së Parë Botërore që kërkonte të vendoste dominancën në Adriatik përkundrejt mbretërisë së re të sapo formuar Serbo-Kroate-Sllovene.

Italianët e kthyen në bazë ushtarake ku ankoronin disa prej anijeve të tyre që patrullonin Otranton. Zyrtarisht, Shqipëria e mori Sazanin në vitin 1946 dhe regjimi komunist vendosi ta mbajë si bazë ushtarake, madje duke e çuar edhe me tej me fortifikimin e gjithë Karaburunit.

Sazani shihej vetëm me dylbi. Rënia e komunizmit nuk ndryshoi asnjë qasje. Sazanit mbeti pronë e ushtrisë dhe ndalohej vizitimi i tij. Ata pak njerëz që e kanë vizituar janë dashur gjithnjë që të marrin leje speciale në Ministrisë e Mbrojtjes.

Dje, Ivanka Trump, vajza e ish-Presidentit Donald Trump, na plasi në fytyrë një tjetër vendim të marrë në fshehtësi nga qeveria.

Ajo konfirmoi se projekti i bashkëshortit të saj në Sazan kishte filluar nga puna, duke kontaktuar me arkitektët dhe firmat më të mira në botë, pavarësisht se qeveria shqiptare nuk ka marrë ende asnjë vendim, ose e ka marrë, por e ka mbajtur të fshehtë.

Ivanka Trump tha se ky projekt drejtohet nga marka ultra luksoze ‘Aman’ dhe do të shërbehet ushqim nga menyja më e famshme botërore, Carbone, pjesë e Major Food Group, e cila është e njohur për klientelën e saj të famshme. Ky grup ka vetëm 7 restorante ekskluzive në të gjithë botën nga Amerika në Hong Kong.

Madje, ajo tregoi edhe çmimet për të jetuar në ishull për një natë, të cilat varionin nga 1400 për apartamentet, te 50 mijë euro për vilat.

Pra, për shqiptarët, Sazani do të mbetet sërish “molla e ndaluar”, pasi këto çmime janë më shumë se sa të papërballueshme. Por, Sazani do të jetë i hapur për milionerët nga e gjithë bota, e ndoshta mes tyre do të jenë edhe politikanët shqiptarë, që nuk humbin rastin për t’u fotografuar pranë VIP-ave.

Si përfundim, shqiptarët e ndershëm, ata që punojnë dhe jetojnë me ndershmëri, ata që nuk futën kurrë duart në buxhetin e shtetit, ata që mezi nxjerrin bukën e gojës dhe kurrë nuk menduan ta braktisin Shqipërinë, por edhe emigrantët që kushtet e vështira i detyruan të lënë familjet pas, Sazanin do ta shohin vetëm me dylbi.

Ashtu si të paraardhësit tanë, por ndoshta edhe si pasardhësit, pasi në këtë vend, politika po shet tokën dhe detin, vetëm për të kënaqur interesat personale të disa individëve dhe për të mbajtur fort karriget.