Samiti për Planin e Rritjes, Rama konferencë me Varhelyi: Shqipëria është gati për të hapur negociatat

Kanë përfunduar punimet e Samitit për Planin e Rritjes me Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët, ku folën për marrëveshjet që u nënshkruan dhe pritshmëritë për të ardhmen e vendeve të rajonit drejt Bashkim it Europian.

Rama tha se Plani i ri i Rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen në BE dhe është një instrument që do bëjë procesin të prekshëm për njerëzit. Sipas tij, ky plan sjell më shumë fonde për projektet dhe buxhetet e Shqipërisë.

“Plani i ri i Rritjes, është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen në BE dhe është një instrument që do bëjë procesin të prekshëm për njerëzit. Solla shembullin e kostos së transaksioneve financiare. Ne në Shqipëri dhe rajon kemi shumë qytetarë që jetojnë jashtë duke punuar atje ndihmojnë familjen. Për çdo para që dërgojnë kostoja e transaksionit është 6 herë më e lartë se ajo mes shteteve anëtare të BE. Plani i ri i Rritjes do na ndihmojë ta çojmë koston në nivel me atë të vendeve anëtare, pra do kursejmë gjysmë mld euro nga xhepat e qytetarëve.

Plani ri i Rritjes sjell më shumë fonde për projektet dhe buxhetet tona, i kënaqur që arritëm në këtë pikë, nuk ka qenë e lehtë por është shpërblyese”, tha Rama.

Ndërkohë, Komisioneri Varhelyi u shpreh se Shqipëria është gati të hapë kapitullin e parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por kritikoi Greqinë për pengesat që po i krijon Shqipërisë drejt rrugës europiane.

“Veprat tuaja kanë treguar çfarë keni arritur. Mos harroni ku ishit në tetor 2018. E ku jeni tani. Jemi të dakordësuar në Bruksel se Shqipëria është gati të hapë grupi-kapitullin e parë.

Unë nuk kuptoj pse nuk e marrim dot këtë vendim. Edhe pse kuptoj rëndësinë e marrëdhënieve të mirë me fqinjët, që nuk ndërtohen nëse pengon tjetrin të ecë para. Shpresoj që në muajt në vijim të kalojmë tek negociatat sepse duam të hapim grup negociatat e para”, u shpreh ai.