Komisioni Hetimor për TIMS është mbledhur këtë të hënë, ku kryetari Ervin Salianji ka propozuar kalendarin e thirrjes së dëshmitarëve.
I pari që pritet të dëshmoj është Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ku Salianji ka propozuar që ai të thirret më datë 15 maj, ora 17:00 si edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.
Lista vijon me Drejtori e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe më pas me ish-Drejtor e Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Z. Ervin Muça, i cili sipas hetimeve të prokurorisë, është personi që ka vjedhur të dhënat nga TIMS, në gusht të vitit të kaluar.
Rikujtojmë se pak ditë më parë, Komisioni Hetimor i TIMS miratoi edhe me votat e opozitës Planin Hetimor të ekspertes së propozuar nga PS, Vjosa Bodo, ku binte në sy se nuk do të thirren për të dëshmuar kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Kalendari i plotë:
Datë 15.05.2024, ora 17:00
1. Ministri i Brendshëm, Z. Taulant Balla
2. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Z. Besnik Dervishi
Datë 17.05.2024, ora 11:00
1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Muhamet Rrumbullaku
2. Ish Drejtor i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Z. Ervin Muça
3. Drejtor i Sistemeve të Policisë në Policinë e Shtetit, Z. Enri Ndoni
Datë 27.05.2024, ora 17:00
1. Ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit, Z. Ardit Muço
2. Ish-Drejtor i Agjencisë Mbikqyrjes Policore, Z. Ardi Veliu
Datë 29.05.2024, ora 17:00
1. Drejtor i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Z. Florian Sulejmani
2. Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Z. Saimir Boshnjaku
3. Drejtor i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Z. Zef Laska
Datë 31.05.2024, ora 11:00
Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Z. Neritan Nallbati
2. Ish Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Z. Dorian Tola
3. Drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, znj. Vlora Hyseni
4. Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit, znj. Ervina Gjana
5. Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit, Z. Besjan Tanuzi