Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji është paraqitur sot për herë të fundit në shërbimin e provës, pasi më 8 korrik u lirua me kusht nga burgu i Fierit.
Në një komunikim për mediat, ai tha se beteja e tij me drejtësinë sapo ka filluar dhe paralajmëroi se çështjen e tij do e dërgojë deri në Strasburg.
Salianji tha se fillimisht do e çoj çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse nuk do të ketë një vendimarrje të drejtë, do t’i drejtohet, Strasburgut.
Salianji hodhi akuza ndaj qeverisë, ndërsa tha se sot kartelet dhe grupet kriminale po kontrollojnë Shqipërinë.
“Unë jam izoluar dhe burgosur për shkak të bindjeve politike dhe për shkak të denoncimit të një personi të inkriminuar. Histori që nisi shumë vite përpara dhe nga dita në ditë të gjithë denoncimet që kam bërë në emër të PD dhe dhe të gjitha denoncimet nga PD, po faktohen duke faktuar së pari lidhjet e forta të krimit me qeverinë dhe kontrollet e grupeve të krimit dhe përfshirjen e personave në funksione më të larta qeveritare apo policore të drejtësisë. Pas këtij momenti, përfundimi i këtij turpi për drejtësinë, njolle turpi për drejtësinë e kapur politikisht nga Rama do ta vazhdoj këtë çështje deri në Strasburg. Dua të theksoj, se duke qenë se e kam provuar vetë edhe në kurriz që dmth të prodhohen padrejtësi nga institucionet. Do të punoj fort për interesat e qytetarëve që përballen me padrejtësi të përditshme nga institucionet e drejtësisë dhe që janë kthyer në institucione dhunuese e gjobash të përditshme. Beteja ime me drejtësinë është në rrugë e sipër, sapo ka filluar. Për pak ditë do të depozitoj në Kushtetuese dhe nëse do të ketë kontroll nga Rama, do të depozitoj në Strasburg. Jam i bindur në fitore “, tha Salianji gjatë një komunikimi për mediat.