Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji gjatë një takimi me demokratët në Berat, kërkoi që kryedemokrati, Sali Berisha të mbajë përgjegjësi politike për humbjet dhe rezultatet e dobëta të zgjedhjeve të fundit.
Salianji, tha se PD ka humbur për shkak të drejtuesve që nuk kanë mbajtur përgjegjësi, mbylljes së partisë dhe mosndryshimit të saj për t’i hapur derën të rinjve.
Sipas ish-deputetit, Partia Demokratike, që rrëzoi Partinë e Punës, sot ka përfunduar në një parti që nuk pranon mendimin ndryshe.
Salianji nuk i ndali kritikat ndaj Berishës, duke thënë “Njëlloj si i biri i vet politik, ish-kryetari Basha, edhe lideri aktual Berisha, janë pothuajse njëlloj, me të njëjtën metodë, me të njëjtën mënyrë të zgjedhjes së gabuar të deputetëve, mosrespektit dhe votës së demokratëve si me Primaret, me të njëjtin ekip, si vite më parë e tani, çfarë ka ndryshuar këto vite përveç emrave? Asgjë, mos të themi edhe më keq, sepse raporti me ndërkombëtarët është edhe më i keq”.
“Por këta nuk duan ta lejojnë as garën. Pse isha unë për lidershpin e PD hero para 3 muajsh dhe sot kur them të vërtetat e nuk pranoj të jem pjesë e klubit të humbësave por dua të mbroj interesin e demokratëve për ta bërë PD fituese, qenkam problematiku dhe që takimet mi organizon krimi. Po cili krim? Demokratët janë kriminelë, se po kërkojmë garë?
Mbi cilat parime ndërtohet sot PD. Demokratët duan garë, duan ndershmëri. Dhe cilido që në PD e ka vendosur karrierën mbi shpatullat e veta kërkon garë të ndershme. Dhe unë meqënese para disa ditësh tha se po përdoret, jo vetëm që nuk keqpërdorem si po përdor këta të tjerët duke u dhënë tendera e leje ndërtimi për kulla as Edi Rama, as Sali Berisha. Unë them atë që mendoj.
Nëse kundërshtarin e zgjedh, po e pyes drejtpërdrejt doktorin. Me kë do të kandidosh doktor në prill, me veten? Sepse vetëm konkurrenca e con përpara një parti politike. Njerëzit duan ndryshimin kurse lidershipi i mban zvarrë me revolucione imagjinare dhe me qeveri imagjinare. Turpi do i mbulojë në histori cilindo që tallet me popullin opozitar që e rrëzon Edi Ramën në mënyrë imagjinare cdo javë dhe pastaj thotë do ta rrëzojmë javën që vjen. Rrotacioni është nevojë kombëtare”- tha ndër të tjera Salianji.