Salianji i përgjigjet Berishës: Ke frikë nga gara dhe demokracia! Në mungesë të votës, shpik etiketa

Ish-deputeti Ervin Salianji i ka kthyer përgjigje kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më herët në një konferencë për mediat tha se ish-ligjvënësi demokrat i kishte kërkuar një mendim në lidhje me një kërkesë që, sipas tij, i ishte bërë nga autoritetet për të firmosur një deklaratë, që të mos “vrasë” Fatmir Xhafën.

Salianji e quajti një shpifje këtë deklaratë të Berishës ndërsa shtoi së Partia Demokratike nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla dhe me votën e anëtarëve të saj.

Mes të tjerash, ish-deputeti shkruan se Berisha ka frikë nga gara dhe demokracia.

“Kam vetëm një kërkesë: garë të hapur dhe votë të lirë”- shkruan mes të tjerash Salianji, i cili ka shprehur ambicien për garën për drejtimin e PD-së.

Reagimi i Salianjit:

Në mungesë të votës, shpik etiketa.

Në mungesë të garës, shpall “të vetëpërjashtuar”.

Sa më shumë flet për përjashtime, aq më e qartë bëhet frika nga gara.

Partia Demokratike nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla dhe me votën e anëtarëve të saj.

Ironike që ky që flet për demokraci, është i pari që i trembet asaj.

Unë nuk kam nevojë për bekime, as për leje.

Kam vetëm një kërkesë: garë të hapur dhe votë të lirë.

Pjesa tjetër është zhurmë për të mbuluar frikën. E frikë bën mirë që ka se e ka keqpërdorur funksionin për interesa personale dhe biznesi! Demokratët duan një Parti Demokratike fituese!

Sa për hallin që ka se mos “vras” Xhafën”, i flet subkoshienca se ka merak se mos “vrasim” Ramën me votë. Burri ka kohë te turpërohet gjithë jeten e vet, por të bier në këtë nivel është e paimagjinueshme dhe është fiks siç nuk e urojnë as kundërshtarët më të ashpër!

Shpifje si kjo tregojnë sa të madhe e ka frikën dhe dëshpërimin. Akuzat për vrasje dihet kush i ka mbi shpinë, siç dhe tregon mëndesinë vrasëse sepse dikush që dëgjon këto biseda dhe nuk i denoncon tregon për veten!

Meqë ky po e mbështet SPAK këtë periudhë, unë jam i gatshëm dhe i bëj thirrje SPAK të nisë hetimin për tentativë vrasje ose moskallëzim krimi.