SafeJournalists: Siguria e ekipit të Syri TV u cenua gjatë protestës së 8 majit në Tiranë

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim pas incidentit gjatë protestës së Partisë Demokratike, të zhvilluar në Tiranë më 8 maj 2026, ku ekipi mediatik i Syri TV u prek nga përdorimi i ujit me presion nga policia, ndërsa po raportonte drejtpërdrejt nga protesta.

Sipas pamjeve filmike, uji me presion goditi kamerën, operatorin Armando Varfi dhe gazetaren Marsi Korreshi, e cila po raportonte nga vendngjarja. Incidenti ndodhi gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, në momentin kur po përdoreshin masa për menaxhimin e turmës.

Gazetarja Marsi Korreshi i tha Rrjetit SafeJournalists në Shqipëri se u godit dy herë nga uji me presion, në distancë shumë të afërt dhe në drejtim të fytyrës. Ajo tha se goditja e dytë erdhi papritur dhe e rrëzoi në tokë.

Të gjithë kolegët u përballëm me shumë ujë, por unë pata fatin e keq që nuk u mbrojta një moment dhe u rrëzova. Besoj se të gjithë kanë qenë në vështirësi mbrëmë,” u shpreh Korreshi.

Rrjeti SafeJournalists thekson se gazetarët, operatorët, fotoreporterët dhe punonjësit e tjerë të medias duhet të jenë në gjendje të raportojnë nga tubimet publike dhe protestat pa u ekspozuar ndaj rreziqeve joproporcionale. Përdorimi i masave për menaxhimin e turmave duhet të marrë parasysh praninë e punonjësve të medias, veçanërisht kur ata janë qartësisht të identifikueshëm, dhe duhet të zbatohet në mënyrë që të mos rrezikojë sigurinë e tyre apo të pengojë punën e tyre.

Autoritetet kanë detyrim pozitiv të garantojnë që gazetarët dhe punonjësit e medias të mund të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë të sigurt, përfshirë gjatë demonstratave me tension politik. Kjo kërkon masa proporcionale për menaxhimin e turmave, udhëzime të qarta operacionale për efektivët e policisë në terren dhe garanci praktike për sigurinë e punonjësve të medias që mbulojnë ngjarje me interes publik.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Policisë së Shtetit të shqyrtojë rrethanat e këtij incidenti, të vlerësojë nëse janë marrë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e punonjësve të medias të pranishëm në protestë dhe të sigurojë që operacionet e ardhshme policore gjatë tubimeve publike të përfshijnë masa të qarta për sigurinë e gazetarëve dhe operatorëve.

Në të njëjtën kohë, mediat duhet të vijojnë të kryejnë vlerësime të rrezikut dhe të ofrojnë udhëzime të përshtatshme sigurie dhe pajisje mbrojtëse kur caktojnë stafin për të mbuluar ngjarje me rrezik të lartë.

Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet me Marsi Korreshi, Armando Varfi dhe të gjithë gazetarët e punonjësit e medias që mbuluan protestën në kushte të vështira. Mbrojtja e sigurisë së tyre është thelbësore për garantimin e së drejtës së publikut për informim.