Eksperti Blendi Çeka nga Data Centrum ka shpjeguar në Euronews Albania përllogaritjen e votave për partitë e vogla për të marrë një mandat deputeti në Tiranë.
Ai tha se do të duhen minimalisht 13.000 – 13.500 vota në kryeqytet që një parti e vogël të nxjerrë një mandat deputeti, por njëkohësisht duhet që kjo parti të ketë marrë të paktën 1% të votave në të gjithë Shqipërinë.
Pra, nëse një parti merr 13.500 vota në Tiranë dhe nuk arrin pragun prej 1% të votave në të gjithë vendin, këto vota digjen dhe partia nuk e përfiton mandatin e deputetit.
“Ideja është kështu: gjithmonë me një lloj përafërsie, në rast se kemi 9 parti të reja ose të vogla që janë në listë, duke hequr PS-në dhe koalicionin e PD-së, ngelen 9 subjekte dhe koalicione. Për këto 9, në rast se duan të marrin të paktën një mandat në Tiranë, duhet të kalojnë dy nivele. I pari është të kalojnë pragun kombëtar që është 1%, që lidhet përsëri me pjesëmarrjen që duhet të kenë, 18 deri në 19 mijë vota në total në Shqipëri, që të futen në ndarjen e mandateve.
Ky është pragu 1% që të duhet të marrësh në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të fillosh garën për shpërndarjen e mandateve. Të gjithë ato subjekte që nuk e plotësojnë këtë shifër në të gjithë Shqipërinë eleminohen direkt. Ky është veprimi i parë që bën KQZ, që të gjithë këto i skualifikon automatikisht nga gara, pasi duhet të kalosh këtë nivel për të hyrë në garën e mandateve, dhe secilës prej këtyre i duhet që të kalojë 18-19 mijë vota në gjithë vendin dhe më pas duhet të marrë minimumi 13-13,500 vota në Tiranë. Nëse ndodh që merr 13 mijë në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë merr 17 mijë dhe është poshtë 1 %, automatikisht skualifikohet dhe i digjen këto 13 mijë vota të Tiranës dhe bëhen zero,” tha Çeka.