Sa larg do të shkojë Irani në sulmet e tij ndaj Izraelit?

Nga Hamed Mohammadi “Worldcrunch”

Irani i kushton një rëndësi të madhe gatishmërisë së qytetarëve të zakonshëm për të vdekur ne emër të fesë së tyre. Megjithatë, pas bombardimit izraelit ndaj konsullatës iraniane në Siri më 1 prill, regjimi që ka shpallur nevojën e martirizimit, duket se është në dilemë se sa fort duhet të kundërpërgjigjet.

Nëse në fund kjo përgjigje do të shihet si modeste, ajo do të minojë një nga shtyllat kryesore politike të Republikës Islamike. Mbrëmjen e të shtunës Irani lëshoi rreth 100 dronë dhe raketa drejt Izraelit. Më herët, trupat iraniane kapën një anije tregtare që ka lidhje me miliarderin izraelit Ejal Ofer.

“MSC Aries” u bllokua nga forcat speciale iraniane ndërsa kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit rreth 50 milje larg brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Dhe këto zhvillime vijnë pas raporteve se Irani donte të shmangte një kundërpërgjigje, e cila do të provokonte një luftë të plotë që do të përhapej në mbarë Lindjen e Mesme.

Një temë qëndrore e regjimit që kur mori pushtetin në vitin 1979, kjo kulturë e martirizimit e ka origjinën në vrasjen e padrejtë të nipit të Profetit Muhamed, Huseinit në shekullin VII-të. Klerikët shiitë u thonë besimtarëve se qëllimi i martirizimit, është të përshpejtojë rikthimin e pasardhësit të Huseinit, Mehdiut, imamit të besimtarëve “të vërtetë”.

Pas pushtimit të Iranit nga Iraku në vitin 1980 dhe gjatë luftës që pasoi, regjimi e përdori këtë traditë në thirrjen e tij për të mbrojtur atdheun, duke dërguar në front mijëra të rinj të keq-trajnuar (disa ishin adoleshente) në një vdekje të sigurt, dhe në një kohë kur vendi kishte mungesë të armëve dhe materialeve ushtarake.

Edhe shumë kohë pas përfundimit të luftës Irak-Iran në vitin 1988, regjimi vazhdon ta përmendë atë martirizim sa herë që dëshiron që iranianët të “buzëqeshin dhe të durojnë” përballë problemeve të mëdha ekonomike të vendit që i kanë rrënjët tek politikat e vetë regjimit.

Diskutimi mbi martirizimin, e ndihmon regjimin të mbajë një “bazë lufte”, e cila u shërben interesave të tij. Nëse armiku është gjithmonë tek pragu, atëherë është më e lehtë të bësh arrestime apo të ekzekutosh të burgosur.

Vitet e fundit, regjimi e ka rishikuar diskursin e tij mbi këtë çështje, për të pasqyruar ndryshimet rajonale dhe midis brezave. Gjatë Luftës Civile Siriane, në të cilën Irani nisi të ndërhynte që nga viti 2011, regjimi filloi t’i quante dëshmorët e mundshëm si “Mbrojtës të faltores”, duke iu referuar faltoreve shiite në Siri që kërcënoheshin nga salafistët dhe fanatikët sunitë.

Por besimi fetar nuk ishte i mjaftueshëm për t’i bindur të rinjtë iranianë të luftonin dhe vdisnin në një vend tjetër. Duhej patjetër një argument kombëtar. Kështu Siria u prezantua si pjesë e një atdheu shiit, pavarësisht regjimit të tij ateist të udhëhequr nga presidenti sirian Bashar Al-Assad.

Brenda vendit, Republika Islamike e konsideroi Sirinë si një “thellësi strategjike” për Iranin dhe si një “pozicion pararojë” kundër salafistëve, të cilët nëse nuk ndaleshin do të sulmonin vetë Iranin. Fryma e martirizimit në mesin e të rinjve të Iranit, ka qenë “kamerdarja e shpëtimit” për  regjimin.

Shumica e atyre që u dërguan për të luftuar në Siri, kishin tashmë një histori të shtypjes së protestave në Iran. Nëpër intervista, familjet e të vrarëve në luftën siriane shprehin krenarinë për të dashurit e tyre, të cilët jo vetëm që kishin luftuar në Siri, por edhe e kishin eksportuan këtë kauzë në shtëpi.

Një refren tjetër i zakonshëm ishte ai i “martirizimit të dëshiruar”. Ai është baza kryesore e sistemit të mbijetesës së regjimit iranian. Në të gjitha nivelet e qeverisë, zyrtarët bien dakord mbi një parim jetik:“fryma e martirizimit midis të rinjve tanë“ ka qenë fjala shpëtuese e regjimit.

Gatishmëria e iranianëve të zakonshëm për të vdekur me kërkesën e regjimit është thelbësore për kontrollin e tij, pasi kompenson dobësitë dhe paaftësinë e tij si dhe përbuzjen publike.

Siria e lejoi Iranin të reformonte dhe ringjallte ushtrinë rreth forcës rajonale Quds dhe milicisë paraushtarake vullnetare Basij (Forca e Mobilizimit të Rezistencës). Po ashtu, Damasku i dha regjimit iranian shansin të përditësonte narrativën e tij dhe të ndërtonte një diskurs më të lakueshëm rreth martirizimit.

Pasi faltoret e Sirisë u bënë më pak të rëndësishme, regjimi e ktheu fokusin e tij në temën e tij të përhershme:Izraeli. Por situata ka ndryshuar. Tani gjallon një ndjenjë e përhapur lodhje ndaj regjimit dhe gjeneralëve të tij. A ka ndonjë në Iran që nuk ka parë dhe dëgjuar raporte të gjeneralëve, zyrtarëve dhe klerikëve që grabitin toka ose futin në xhepat e tyre paga astronomike dhe bonuse të majme?

Kush do të luftojë për ta “fshirë Izraelin nga harta” kur luftënxitësit qëndrojnë në prapavijë, duke bërë një jetë luksoze në Teheran apo rrethinat e tij? Besnikët duhet të vënë në dukje ngurrimin ekstrem të regjimit – dhe jo për herë të parë – për të vepruar në përputhje me zotimin e tij të shfaqur pas bombardimi izraelit ndaj ambasadës së tij në Siri më 1 prill.

Udhëheqësit e regjimit kanë shpikur me mjeshtëri eufemizma për zhurmën e tyre të kotë: ”fleksibilitet heroik” dhe “durim strategjik”. Mos vallë thirrjet për çlirimin e Jeruzalemit kanë qenë thjesht pretekste, për t’i lejuar regjimit të ruajë bazën e luftës që e mban atë në këmbë? Çfarë mendojnë besnikët kur i dëgjojnë klerikët të thonë, se “armiku” po u bën presion zyrtarëve që të veprojnë kundër Izraelit? Apo për një analist të regjimit që i quan “sipërfaqësorë” ata që kërkojnë hakmarrje ndaj Izraelit? Pra regjimi e përqafon apo jo martirizimin?

Ngurrimi i tij me siguri që do t’i shkurajojë mbështetësit e tij më të zellshëm – veçanërisht besnikët më të rinj në moshë, të cilët janë rritur me fjalët e martirizimit nga një regjim që në fakt preferon më shumë intrigat. A do të vazhdojnë të luftojnë ata për udhëheqës, që kanë kaq frikë të përballen vetë me rreziqe të mëdha?

Dhe nëse refuzojnë, kush do ta mbrojë regjimin? A do të ketë kohë regjimi të luajë kartën e tij të fundit, armët bërthamore? Regjimi i Iranit përballet me një enigmë. Ai duhet t’u tregojë besnikëve të saj se është i përgatitur të praktikojë atë që predikon duke e goditur fort Izraelin.

Por a do të jetë në gjendje të përballet me pasojat e pashmangshme të zemërimit të Izraelit?

Ky është ngërçi ku e kanë futur regjimin 45 vitet e nxitjes së urrejtjes.