Rusia ka goditur Ukrainën gjatë natës së së enjtes me raketën balistike hipersonike “Oreshnik”, një nga armët më të avancuara të arsenalit të saj. Sipas autoriteteve ruse, kjo raketë është e aftë të mbajë disa koka luftarake dhe mund të pajiset si me ngarkesë konvencionale, ashtu edhe bërthamore.
“Forcat e Armatosura Ruse kryen një sulm masiv me armë precize me rreze të gjatë veprimi, tokësore dhe detare, përfshirë sistemin raketor mobil tokësor me rreze të mesme Oreshnik,” njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Moska nuk bëri të ditur objektivin e saktë të goditjes, por autoritetet ukrainase raportuan shpërthime dhe një sulm me raketë balistike ndaj infrastrukturës kritike në qytetin perëndimor të Lvivit.
Komanda Ajrore “Perëndim” e Forcave Ajrore të Ukrainës deklaroi se raketa lëvizte me një shpejtësi rreth 13.000 kilometra në orë përgjatë një trajektore balistike, rreth dhjetë herë më e shpejtë se zëri.
Sipas autoriteteve ruse, Oreshnik ka rreze veprimi që i mundëson të godasë objektiva në të gjithë Evropën. Muajin e kaluar, Rusia publikoi pamje të vendosjes së këtij sistemi raketor në territorin e Bjellorusisë, aleate e ngushtë e Moskës. Herën e parë Oreshnik u përdor në nëntor 2024, gjatë një sulmi ndaj qytetit ukrainas Dnipro.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se “një sulm i tillë pranë kufirit të BE-së dhe NATO-s përbën një kërcënim serioz për sigurinë evropiane dhe një provë për komunitetin transatlantik”, duke kërkuar reagime të forta ndaj veprimeve të Rusisë.
Nga ana e saj, Rusia tha se sulmi ishte përgjigje ndaj një përpjekjeje të supozuar të Ukrainës për të goditur rezidencën e presidentit Vladimir Putin muajin e kaluar. Megjithatë, sipas zyrtarëve amerikanë, CIA ka vlerësuar se Ukraina nuk kishte në shënjestër një rezidencë të përdorur nga Putini.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë natës Rusia lëshoi gjithsej 36 raketa dhe 242 dronë. Në Kiev, sulmi nisi rreth mesnatës me goditje dronësh ndaj zonave të banuara, duke lënë pjesë të mëdha të qytetit pa energji elektrike, ndërsa temperaturat ranë në -5 gradë Celsius.
Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, katër persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën, ndërsa u dëmtua edhe infrastruktura kritike. Në Lviv, autoritetet lokale thanë se nuk kishte viktima dhe se ndërtesat civile nuk ishin prekur.
Sulmet vijnë në një kohë kur Rusia ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke lënë dhjetëra mijëra qytetarë pa energji elektrike dhe ngrohje. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se qëllimi i këtyre sulmeve është “të krijojë kaos dhe presion psikologjik mbi popullsinë”.