Rusët, fushatë dezinformimi për të ndikuar mbi zgjedhjet e Parlamentit Europian

Nga Maurizio Stefanini “Linkiesta”

Departamenti amerikan i Shtetit, ka zbuluar se të paktën që nga viti 2014, regjimi i Vladimir Putinit në Rusi, është përpjekur të ndikojë mbi proceset zgjedhore në vende të tjera, përmes fushatave të dezinformimit dhe financimit të forcave të caktuara politike.

Një luftë hibride , që e ka burimin nga një tradite e lashtë kombëtare, dhe që në Itali ka gjetur objektiva shumë të lehtë për t’u goditur. Por nuk është vetëm Italia. Më 12 shkurt, Viginum, organi francez që monitoron dezinformatat e huaja, njoftoi se kishte zbuluar një përgatitje për një fushatë të madhe dezinformimi në Francë, Gjermani, Poloni dhe disa vende të tjera evropiane.

Ajo lidhet me shumë me përvjetorin e dytë të pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, sesa me zgjedhjet për Parlamentit Evropian të planifikuara për në qershor. Viginum pretendoi konkretisht se ka zbuluar një rrjet rus prej 193 faqesh interneti, të cilat ishin koduar me emrin “Kombat Portal”.

Shumica e këtyre faqeve janë krijuar vite më parë, dhe shumë prej tyre janë bërë joaktive.  Për shembull, topnews.uz.ua. Gjithsesi, që nga viti 2022, janë krijuar më shumë se 50 faqe të tilla, si news-odessa.ru ose pravda-en.com. Trafiku aktual në këto faqe, të cilat ekzistojnë në gjuhë të ndryshme si frëngjisht, gjermanisht, polonisht dhe anglisht, është për momentin shumë i ulët.

Por autoritetet franceze, besojnë se mund të jenë gati të veprojnë në mënyrë agresive ndaj një valë të re të mundshme “masive” të dezinformimit nga ana e rusëve. Viginum i monitoroi këto faqe, midis shtatorit dhe dhjetorit 2023, duke arritur në përfundimin se ato nuk gjenerojnë vetëm lajme të rreme.

Ato janë krijuar edhe për të përhapur përmbajtje “mashtruese ose të rreme”, në lidhje me luftën në Ukrainë, si në faqet e internetit ashtu edhe përmes rrjeteve sociale. Qëllimi i tyre themelor, është të dobësojë sa më shumë mbështetjen në vendet evropiane për Ukrainën.

Sipas autoriteteve franceze, ky rrjet kontrollohet nga një organizatë e vetme ruse. Nuk është aspak rastësi, që njoftimi u bë pikërisht në ditën kur presidenti Emmanuel Macron priti në Paris kryeministrin e ri polak Donald Tusk, dhe më pas Ministrat e Jashtëm të të ashtuquajturit “Trekëndëshi i Vajmarit, të përbërë nga Franca, Gjermania. dhe Polonia.

Këto janë gjithashtu edhe vendet kryesore që synohen të goditen nga fushata ruse e dezinformimit. “Jemi në një moment cenueshmërie përpara zgjedhjeve evropiane”- e pranoi Ministri i Jashtëm francez Stéphane Séjourné.

Për Francën, zbulimi i kësaj përpjekjeje të fundit të Rusisë për të destabilizuar vendet evropiane, vjen pas një sërë fushatash dezinformuese për të cilat akuzohet Moska. Në nëntorin e vitit të kaluar, Ministria e Jashtme e Francës denoncoi një “operacion të ndërhyrjes dixhitale ruse”, që  shpërndau imazhe të Yllit të Davidit që u ngjitën në muret e një lagjeje pariziane.

Ky akt, synonte të rriste tensionet midis komuniteteve të ndryshme fetare dhe etnike Francë, vetëm pak ditë pas fillimit të konfliktit të përgjakshëm midis Izraelit dhe Hamasit. Më pas

Viginum ,arriti të zbulojë një rrjet prej 1.095 llogarish në platformën  X (ish-Twitter), të cilat përmbanin 2.589 postime publike.

Viginum e lidhi atë me një kompani ruse të quajtur Recent Reliable News, e njohur për klonimin e faqeve të mediave perëndimore, me synim përhapjen e lajmeve të rreme. vetë Bashkimi Evropian e ka etiketuar atë si “Doppelgänger” (Prodhuese të kloneve).

Në qershorin e vitit  2023, Franca akuzoi po këtë kompani për klonimin e disa faqeve të internetit të mediave franceze, përfshirë atë të Ministrisë së Jashtme franceze. Në faqen e klonuar të ministrisë, hakerët publikuan një deklaratë të rreme në lidhje me hyrjen në fuqi të një “takse të sigurisë” prej 1.5 për qind, për të financuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Me afrimin e fushatës zgjedhore për Parlamentin Evropian, besohet se Franca do të bëhet një nga objektivat kryesorë të fushatave dezinformuese të Kremlinit. Sipas një artikulli të botuar në dhjetor në gazetën amerikane “Washington Post”, vetë dokumentet konfidenciale të Kremlinit, tregojnë se Rusia i ka shtuar ndjeshëm përpjekjet e saj për të dobësuar mbështetjen e francezëve për Ukrainën.

Po ashtu Putin, është shumë i interesuar për të nxitur sa më shumë përçarje dhe polarizim në Francë, në një kohë kur Marine Le Pen po kryeson në sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, që i ka financuar fushatat e saj të mëparshme me një kredi të marrë nga një bankë ruse, është ajo që përfiton më shumë nga polarizimi politik i Francës.