Rritja e çmimit të naftës, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimet në treg

Autoriteti i Konkurrencës në vend ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë, por edhe pakicë për të kontrolluar çmimet e naftës dhe benzinës në të gjitha pikat e shitjes.

AK njofton se në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, do të merren masa.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Reagimi i Autoritetit të Konkurrencës vjen pasi në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë ka nisur rritja e çmimit të naftës me 4 lekë për litër. Shtrenjtimi i çmimit me pakicë vjen pas ndryshimit të naftës në bursat e huaja, pas sulmeve në vendet e Lindjes së Mesme.

Njoftimi:

Autoriteti i Konkurrencës njofton se, mbështetur në ligjin nr. 9121/2003, ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.

Bëjmë me dije se, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës. Në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003, do të ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave të tij.

Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me masën e ndryshimeve që regjistrohen në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Me këtë proces monitorimi, Autoriteti synon të garantojë transparencë, funksionim të rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo nga sjellje që cenojnë konkurrencën.

Sqarojmë se, në përputhje me misionin dhe kompetencat e përcaktuara për Autoritetin e Konkurrencës, të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me atributet që i përkasin institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.