Rritja e çmimit të karburanteve, Braçe: Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel, e ndryshuan çmimin me një SMS

Deputeti socialist Erion Braçe ka akuzuar Shoqatën e Hidrokarbureve se funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimit të karburanteve.

Braçe foli në Komisionin e Ekonomisë, ku tha se mjaftoi një SMS për të gjitha kompanitë që të rrisnin çmimin e karburanteve.

Sipas tij, çmimi më i lartë është te ato kompani që janë të brenduara, për të cilat thotë se e kanë sfidë personale që të mos e ulin çmimin  nën 200 lekë të reja për litër.

Socialisti i shpreh se ky model tregu që është në Shqipëri për blerjen dhe tregtimin e karburanteve nuk lejon uljen e çmimit, edhe pse dollari dhe euro janë zhvlerësuar.

“Unë vazhdoj të insistoj te tregu i karburanteve, me thënë të drejtën, dhe jo thjesht tek veprimi juaj, por tek modeli i tregut që ata kanë ndërtuar prej katër vitesh, po flas prej katër vitesh. Po, ato janë çmimet dhe janë vendosur me një mesazh. Çmimi i naftës ka ndryshuar dje në orën 16:00 sipas një SMS-je të mbërritur në çdo përgjegjës pike karburanti.

Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara, pra çmimi më i lartë është ai 198-202 lekë, që këta e kanë sfidë personale. Kanë katër vjet që e kanë sfidë këtë 202 lekëshin; kur e patën para katër vitesh e kanë sfidë mos ta ulin nën 200 lekë dhe ta çojnë gjithmonë mbi 200 lekë.

E kanë ndryshuar me një SMS dhe unë po përpiqem shumë që ato SMS t’i mbledh dhe t’jua dërgoj dhe, mbi të gjitha, nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është Shoqata e Hidrokarbureve. Këto SMS nuk i dërgojnë thjesht drejtuesit e kompanive, por këto SMS, veçanërisht tek pikat e bardha, i dërgojnë zyrtarët e Shoqatës së Hidrokarbureve. Pra Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast.

Ju me të drejtë po monitoroni tregun e pakicës, por problemi është atje ku ju thashë, tek tregu i shumicës. Cili është modeli i tregut që zotërinjtë kanë ndërtuar? Këta nuk blejnë më naftë në bursë; këta blejnë nga një broker që e sjell naftën në territor. Është ky brokeri që vjen dhe e derdh naftën në depozitat e këtyre në periudha të ndryshme kohore dhe këta blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që dalin nga depozita. Ky model tregu i ka hequr të gjitha avantazhet e blerjeve afatgjata të sasive të naftës, ose ia ka kaluar këtij brokeri, i cili nuk është entitet tatimor shqiptar dhe nuk është i regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili merr këto përfitime të blerjeve në afatgjatë.

Në bursë sot blen naftë ditore, 10-ditore, 30-ditore, 3-mujore dhe 6-mujore. Sot po të futesh në bursë, blen me këto afate dhe këto blerje në tregun shqiptar i bën ky broker. Madje këta kanë shuar fare parimin që duhet të funksionojë një depozitë.

Dollari është përtokë, pra transaksionet kryhen në dollar. Euro është zhvlerësuar, që është element i rëndësishëm tek çmimi, por kjo nuk është reflektuar sepse ky model tregu nuk e lejon këtë gjë.”, tha ai.