Rritet tensioni në Paqësor: Japonia armatos një luftanije me raketa amerikane Tomahawk

Një luftanije japoneze është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për t’u pajisur me raketa kruz Tomahawk, që kanë rreze veprimi deri në 1,600 kilometra. Kjo lëvizje vjen në kuadër të përpjekjeve të Japonisë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse përballë kërcënimeve nga Kina dhe Koreja e Veriut.

Anija JS Chokai, e pajisur me sistemin Aegis, do të qëndrojë për një vit në SHBA për modifikime teknike dhe stërvitje të ekuipazhit, që do t’i mundësojnë lëshimin e raketave Tomahawk – armë me fuqi të lartë sulmuese që mund të godasin objektiva në thellësi të territorit kinez apo koreano-verior.

Japonia ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e 400 raketave Tomahawk, si pjesë e një strategjie më të gjerë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes. Ministri japonez i Mbrojtjes e ka cilësuar situatën aktuale si “mjedisi më i rëndë dhe kompleks i sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore.”

Kina ka reaguar ashpër ndaj këtij zhvillimi, duke akuzuar Japoninë për shkelje të kushtetutës pacifiste të pas Luftës së Dytë Botërore dhe për nxitje të një gare armatimesh në rajon.

Anija JS Chokai do të jetë e gatshme për misione operative verën e ardhshme, pas testimeve me raketa reale. Kjo është një ndër luftanijet më të fuqishme të Japonisë, me 90 qeliza vertikale lëshimi për raketa të ndryshme mbrojtëse dhe sulmuese.