Në rrjete sociale shpesh herë dalin postime në lidhje me shitjen e banesave në kryeqytet dhe jo vetëm. Ajo çfarë bie në sy menjëherë janë çmimet e larta të këtyre apartamenteve, të papërballueshme për shumë shqiptarë, duke marrë parasysh rrogat në vendin tonë. Rritja e apartamenteve duket se nuk ka të ndalur.
Banka e Shqipërisë vlerëson se çmimet e banesave iu kthyen rritjes së shpejtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.
Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u rrit me 26.2% ndaj periudhës paraardhëse dhe 56% ndaj nivelit të një viti më parë
Pra një rritje shumë e lartë në krahasim me një vit më parë, duke vënë në vështirësi shumë familje të cilat mund të jenë me qira, dhe blerja e banesës bëhet një mision i pamundur. Një alarm për shumë të rinj shqiptarë, apo çiftet e reja, të cilët përballen me sfida të shumta për të ndërtuar jetën e tyre në një vend ku strehimi po kthehet në luks.
Sipas raportimeve çmimi mesatar për një apartament të ri në zonat e preferuara të Tiranës si Komuna e Parisit, Liqeni Artificial apo Blloku varion nga 2,500 deri në 3,500 euro për metër katror, ndërsa në zonat periferike si Astiri, Fresku apo Paskuqani çmimet variojnë nga 1,000 deri në 1,300 euro për m².
Për ndërtuesit, faktorët kryesorë që vijojnë të ndikojnë te shtrenjtimi i kostove dhe çmimeve janë rritja e detyrimeve nga taksa e ndikimit në infrastrukturë pas rritjes së çmimeve të referencës.
Ndërtuesit kanë pasur shtim të kostove direkte edhe nga rritja e njëpasnjëshme e pagave për punëtorët, që sipas tyre kanë arritur deri në 1,500 euro në muaj. Po ashtu, edhe materialet e ndërtimit janë shtrenjtuar.
Ajo që duhet thënë se e gjithë kjo situatë rëndon qytetarët shqiptarë, të rinjtë të cilët janë detyruar të largohen nga vendi.