Rreziku që vjen nga e djathta ekstreme në Greqi, a ka shanse Fredi Beleri?

Nga Paris Aslanidis “London School of Economics”

Realiteti fatkeq i zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në periferi të unionit, është se ato kanë shumë pak të bëjnë me vetë projektin evropian. Përkundrazi, ato shërbejnë ose si një sondazh i kushtueshëm por i saktë i opinionit publik, ose si një mjet i thjeshtë përmes të cilit qytetarët e pakënaqur, të shprehin momentalisht ankesat e ndryshme kundër pushtetarëve të tyre.

Prandaj, nuk është aspak për t’u habitur që politikanëve fatlumë që fitojnë mandate në këto zgjedhje, u mungon një vizion specifik për Evropën. Ata e shohin qëndrimin e tyre në Bruksel si një përvojë të mirë profesionale dhe si një mundësi të shkëlqyer për të ndërtuar sa më shumë lidhje dhe grumbulluar një pasuri të vogël personale, e cila do t’u vijë në ndihmë kur ata përfundimisht të rikthehen në arenën e politikës kombëtare që është shumë më emocionuese.

Greqia nuk bën përjashtim nga kjo tendencë. Në fushatat e partive të mëdha dhe të vogla, mungojnë dukshëm propozimet e rëndësishme mbi politikat që kanë të bëjnë me të ardhmen e unionit apo rolin e kombit në të. Në vend të tyre, rezultati i zgjedhjeve të qershorit do të përdoret vetëm për të vlerësuar 3 grupe dinamikash politike të brendshme.

Tërheqja e elektoratit ndaj partisë në pushtet

Partia konservatore Nea Demokratia (Demokracia e Re), e rimori pushtetin në vitin 2019 pas një rikthimi të shkurtër të së majtës në pushtet gjatë viteve 2015-2019. Me 40.56 për qind të votave që mori në zgjedhjet e qershorit 2023, Kyriakos Mitsotakis u shndërrua në një hegjemon të vërtetë në politikën greke.

Megjithatë, një sërë skandalesh të mëdha, si përgjimi i paligjshëm i qindra individëve (përfshirë gazetarë, politikanë, juristë, drejtues biznesi dhe komandantë të ushtrisë) dhe së fundi, keq-menaxhimi i dyshuar i hetimit mbi aksidentin hekurudhor në Tempe, ku u vranë 57 njerëz, pritet të sjellë rënien e mbështetjes ndaj kësaj partie.

Nëse Demokracia e Re shfaqet më dobët më pak në krahasim me zgjedhjet e Parlamentit Evropian të vitit 2019, ose më keq akoma bie nën nivelin e 30 për qind, rezultati do ta inkurajojë opozitën e fragmentuar, dhe mund të merret si një sinjal i fillimit të një ndryshimi politik në të ardhmen.

Ecuria e ekstremit të djathtë

Aktualisht, pjesë e parlamentit grek janë 3 parti të ekstremit të djathtë (Zgjidhja Greke, Nikea, Spartanët). Ato fituan vitin e kaluar rreth 12.8 për qind të votave së bashku në nivel kombëtar. Kjo shifër, pritet të rritet ndjeshëm për shkak të natyrës së lirshme të votimit në zgjedhjet evropiane.

Sidomos Zgjidhja Greke ka të ngjarë të shënojë një rezultat 2-shifror në shumë rajone në veri të vendit, gjë që do të ushtrojë akoma më shumë presion mbi qeverinë, për t’u zhvendosur edhe më shumë djathtas në politikat e saj.

Deri më sot, Demokracia e Re, ka qenë shumë e suksesshme në shfrytëzimin e të djathtës ekstreme duke promovuar figura të rëndësishme të saj ose duke miratuar pjesë të axhendës së saj të politikave (veçanërisht për emigracionin).

Megjithatë, partia mund ta ketë të vështirë të ndalë çdo zgjerim të ri të së djathtës ekstreme greke midis votuesve ultra-fetarë dhe pro-rusë, apo xhepave të tjerë të bazës së saj mbështetëse tradicionalisht konservatore.

Mbështetja e vendosur e Mitsotakis për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, dhe nisma e tij e fundit për të legalizuar martesat midis të njëjtës gjini, pavarësisht kundërshtimit të Kishës së fuqishme Ortodokse greke (për të mos përmendur një numër të madh deputetësh të Demokracisë së Re), kanë zvogëluar shumë shanset për t’i joshur këto segmente votuesish.

Rivaliteti në kampin e majtë

Socialistët e PASOK-ut, viktima kryesore politike e krizës së borxheve në Greqi, shpresojnë që të rimarrë vendin e parë në kampin e majtë, 12 vjet pasi SYRIZA realizoi “tejkalimin” e famshëm. Nga ana tjetër, pas rezultatit katastrofik në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, SYRIZA është e dëshpëruar për një rezultat të mirë për të konsoliduar udhëheqjen e liderit të saj të ri dhe kontrovers, Stefanos Kasselakis, duke i dhënë fund më në fund përçarjeve të brendshme që kanë larguar shumë votues dhe figura me peshë nga partia.

Fraksioni kryesor i shkëputur nga SYRIZA, E Majta e Re, e themeluar në marsin e vitit 2023, po synon të arrijë një rezultat mbi 3 për qind (që është pragu kombëtar) për të ruajtur rëndësinë e saj elektorale, dhe për të shmangur shpërbërjen.

Por rezultati përfundimtar i zgjedhjeve evropiane të qershorit, do të jetë vendimtar për formulimin e një strategjie të qëndrueshme për opozitën e majtë, në mënyrë që ajo të sfidojë në një mënyrë më efektive Demokracinë e Re në vitet përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Por pritshmëria që Partia Komuniste e Greqisë, të fitojë më shumë terren në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare i ndërlikon jo pak këto zhvillime. Kjo edhe sepse komunistët refuzojnë me vendosmëri çdo lloj bashkëpunimi kuptimplotë me forcat e tjera të majta.

Rezultatet e mundshme

Pavarësisht çdo lloj pengese afatshkurtër, skenari më i mundshëm është që qeveria të arrijë të kufizojë rënien që do të pësojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, dhe të përfitojë nga koha e mjaftueshme që ka në dispozicion deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare (të planifikuara për në qershorin e vitit 2027) për të adresuar problemet e brendshme.

Demokracia e Re, mbështetet tek një peizazh mediatik teje miqësor dhe tek lidhjet e ngushta me interesat e biznesit vendas. Po ashtu, një pikë e fortë është edhe prestigji ndërkombëtar që gëzon Mitsotakis që nga ngjitja e tij në pushtet.

Rezoluta e Parlamentit Evropian në muajin shkurt, që e vuri theksin tek mangësitë serioze në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore në vend, ka pasur një ndikim të brendshëm minimal për shkak të këtyre faktorëve, por edhe të mungesës së një alternative të besueshme në kampin e majtë.

Prandaj, ndërsa ecuria e ekonomisë greke është e mirë, dhe qeveria është ende e ngarkuar me detyrimin për të mbajtur një suficit primar në buxhetin e saj vjetor, vështirësitë e përditshme të krizës së borxhit sovran, po bëhen gjithnjë e më shumë një kujtim i largët për qytetarin e zakonshëm.

Efektet ekonomike të ecurisë shumë të mirë të industrisë së turizmit në epokën pas pandemisë, së bashku me stabilitetin politik që po e shoqëron sundimin e padiskutueshëm të Demokracisë së Re, kanë bërë që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të jetë e kujdesshme ndaj ndryshimeve politike.

Shënim:Paris Aslanidis, lektor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Jeilit, SHBA.