Rregullorja e re, deputetët nuk do mund të takojnë asnjë lobist pa e vetëdeklaruar

Ministria e Drejtësisë ka hartuar një udhërrëfyes për funksionimin e institucioneve demokratike në vend, në funksion të integrimit të vendit në BE.

Ky udhërrefyes është hedhur për konsultim publik dhe ka tre pika, ku njëra prej tyre ka të bëjë me forcimin e transparencës dhe llogaridhënies dhe integritetit të deputetëve të Kuvendit.

Në këtë udhërrëfyes, synohet amendimi i Kodit të Sjelljes dhe rregullores së Kuvendit brenda vitit 2030, ku do të krijohet një regjistër transparence ku deputetët duhet të deklarojnë çdo takim.

Pika e parë ka të bëjë me kushtëzimin e deputetëve për të takuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe lobistë, të cilët janë të regjistruar në regjistrin e transparencës.

“Amendimi i Kodit të Sjelljes së deputetëve, për të futur detyrimin që takimet e deputetëve dhe stafit të tyre me OSHC-të dhe lobistët të zhvillohen vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës në përputhje me përcaktimet e Vendimit të Komisionit të datës 31 janar 2018 mbi Kodin e Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Evropian, neni. 7 si dhe publikimin e procesverbalit të mbledhjes deri më 2029”.

Në lidhje me këtë pikë ka patur edhe komente nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit ku thekson se “detyrimi për deputetët dhe stafin e tyre nuk mund të limitohet vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës. Takimet duhet të jenë të hapura dhe njoftimet duhet të jenë publike në faqen e Kuvendit. Në lidhje me lobistët, mbetet e nevojshme të qartësohet termi lobist dhe të hartohet një ligj apo akte të tjera që përkufizojnë dhe rregullojnë aktivitetin e lobistëve”.

Ndërkohë Instituti i Studimeve Politike vlerëson se propozimi nuk sjell rritje të transparencës dhe as hapje të parlamentit ndërsa rekomandon se si masë më efektive do të ishte reformimi i Regjistrit, verifikimi real i organizatave dhe lidhja e tyre me aktivitetin parlamentar, parandalimi i konfliktit të interesit, një sistem funksional konsultimi të vazhdueshëm, si dhe reformimi përmes legjislacionit i konceptit “lobim” dhe “lobues”.

Po ashtu, synohet përfshirja e aktorëve më të gjerë nga shoqëria civile dhe grupet e interesit në punën e Kuvendit.

-Përfshirja e aktorëve më të gjerë nga shoqëria civile dhe grupet e interesit në punën e Kuvendit përmirësohet dhe forcohet brenda vitit 2030.

Ndërkohë kërkohet edhe një rritje e madhe e transparences së punës së parlamentit.

-Disponueshmëri më në kohë dhe më miqësore për përdoruesit e dokumentacionit zyrtar parlamentar për shoqërinë civile, median, palët e tjera të interesuara dhe publikun e gjerë duke përmirësuar vazhdimisht informacionin e publikuar në faqen e Kuvendit në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit (Afati i fundit: 2024-2030).

-Zbatimi i një sistemi transkriptimi që të mundësojë sqarimin sa më të shpejtë të materialit audio për mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe seancat plenare sa më shpejtë të jetë e mundur (2024-2030).

-Transmetim i vazhdueshëm në kohë reale dhe qasja në materialet audio-video të veprimtarisë parlamentare në çdo kohë nga publiku; (RTSH Kuvendi, Faqja e Kuvendit dhe Rrjetet Sociale të Kuvendit) (Afati: 2024-2030).

Dokumenti është hartuar pas një analize të akteve ligjore dhe kapaciteteve institucionale të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në kriterin politik kryesisht funksionimin e institucioneve demokaratike në vijim të procesit “screening”.

“Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike” është një dokument politik dhe strategjik, i cili paraqet masat kryesore që parashikohen të merren në kuadër të procesit të adresimit të gjetjeve të paraqitura nga Komisioni Evropian në raportin e shqyrtimit (screening report) për Shqipërinë përsa i përket Kriterit Politik kryesisht Funksionimit te Institucioneve demokratike.

Qëllimi i hartimit të tij është të paraqesë masat politike kryesore që vendi ynë merr në procesin e negociatave për anëtarësim në BE për sa i përket Funksionimit të Institucioneve Demokratike si dhe  për ta konsultuar me opinionin e gjerë publik, ekspertë të fushës dhe shoqërinë civile duke plotësuar të gjitha kërkesat për konsultimin publik.