Ish-kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar nga Kuvendi vendimin e qeverisë Rama, që synon të mbajë për 5 vite pas ciklit të studimeve, mjekët e rinj që përfundojnë arsimin e lartë në vendin tonë.
Berisha deklaroi se ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike, por në fakt ka në themel vjedhjen.
Por kreu i grupit socialist Taulant Balla i është përgjigjur duke e quajtur Berishën “mjekun jetim të Enver Hoxhës”.
Balla tha se vendi duhet të sigurojë mjekë për t’i garantuar qytetarëve mjekësi, ku ironizoi deklaratën e Berishës “Zotëria thotë që do dal në protestë, ne themi jo na duhen mjekë për Shqipërinë. Edhe pse ndonjëri e ka tradhtuar me kohë, shyqyr që ka shpëtuar mjekësia nga këto soj doktorësh. Ne do ta bëjmë, ky projektligj do kthehet në ligj në 20 korrik”.
“Mjeku i Enver Hoxhës dhe familjes së tij, i ngelur jetim dhe që nuk i shkon mbrapa më askush. Ju jeni të gatshëm të tërhiqni ose të gënjeni këdo, mjafton të behni disa veta”, u shpreh Balla.
Berisha iu kundërpërgjigj duke e quajtur një eksponent të botës së krimit. Berisha u shpreh se nuk e ka vizituar kurrë dhe ‘e kërcënoi’ që të mos e teprojë me deklaratat ose do i nxjerrë një histori që nuk është treguar më parë.
“Parafolës është shpifës i shpërfytyruar. Është një person që përfaqëson këtu klanet më të rrezikshme të vendit. Është një person i cili në dosjet e prokurorisë figurojnë dhjetëra kilometra të tëra telefonatash me vrasës trafikantë, përdhunues etj. Asnjëherë mos prisni kurrë që kjo rracë e shpifur që ka pushtuar parlamentin të mendojë ndryshe. Tani meqë e përmende atë xhaxhin tënd po ta them, se kam vizituar kurrë se nuk ka kërkuar.
Po vazhdove do tregoj historinë kur sekretari të nxirrte te qershia. Po e teprove ta them. Mos më nxit”, tha Berisha.