Rinumërimi në Tiranë/ Partisë Socialiste i hiqen 38 vota, PD-së 6 vota!

Këtë të mërkurë në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” ka nisur rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës.

Deri tani  janë hapur 32 qendrat e para të votimit nga 1282 në total, të cilat kanë treguar pasaktësi si në votën mes subjekteve politike, ashtu edhe mes kandidatëve.

Nga hapja e kutive ka rezultuar se deri më tani Partisë Socialiste i ishin numëruar 38 vota më shumë më 11 maj, ndërsa Partisë Demokratike 6.

Ndërkohë Partia “Mundësia” nga rinumërimi ka përfituar një votë plus.

Procesi për rinumërimin e votave të Tiranës pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Pas përfundimit të kësaj faze, do të fillojë rinumërimi në qarkun e Fierit me 587 kuti, e më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë 85 kuti që vijnë nga diaspora.