Rinumërimi i Tiranës/ Hapen 160 kuti, PS dhe PD humbin vota

Që prej mëngjesit të së mërkurës, ka nisur rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës. Deri tani, në pallatin e sportit “Fahrie Hoti”, janë hapur 160 kuti votimi nga 1282 në total.

Sipas të dhënave zyrtare, Partia Socialiste ka humbur 62 vota në krahasim me numërimin fillestar, ndërsa Partia Demokratike ka humbur 59 vota.

Partia “Mundësia”, nga rinumërimi ka përfituar 1 votë më shumë, që i ishin hequr në numërimin e parë.

Rinumërimi ka nxjerrë në pah se dy partive më të mëdha në vend u janë shtuar vota në 11 Maj.

Megjithatë  nuk sjellin asnjë ndryshim për mandatet, por as në renditjen e kandidatëve në listë të hapur.

Procesi për rinumërimin e votave të Tiranës pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Pas përfundimit të kësaj faze, do të fillojë rinumërimi në qarkun e Fierit me 587 kuti, e më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë 85 kuti që vijnë nga diaspora.