Rikthehen hakerat iranianë, sulmojnë faqen e Bashkisë Tiranë: Morëm të dhëna dhe fshimë serverët

Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës ka rënë pre e një sulmi kibernetik. Përgjegjësinë për sulmin në fjalë e kanë marrë hakerat iranianë.

Me një shënim në rrjetin social Telegram, “Homeland Justice” thotë se ka sulmuar faqen dhe se aktualisht është jashtë funksionit.

Në mesazhin e ndarë, “Homeland Justice” shkruan se kanë marrë të dhënat dhe kanë fshirë serverat.

“Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”

Po ashtu, në një tjetër mesazh, hakerat iranianë thonë se e kanë paralajmëruar Shqipërinë që të “dëbojnë terroristët e MEK-ut”.

“Bashkia e Tiranës është jashtë funksionit tani. Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ju paralajmëruam që të dëbonit terroristët e MEK-ut nga toka shqiptare. Por ju i njohët ata si refugjatë ligjorë dhe u dhatë lehtësira si dokumente identiteti dhe pasaporta të falsifikuara. Situata aktuale është shkaktuar nga drejtuesit e qeverisë shqiptare. Përshëndetuni me ndërprerjen e shërbimeve të qytetit dhe trafikut. Marrëveshja jonë me ju do të vazhdojë”, shkruajnë në Telegram.

Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës është e paaksesueshme në këto momente. Bllokimi i saj pengon punën e qytetarëve, të cilët ishin në proces për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.

Ky proces bëhej online në faqen e Bashkisë, ndërsa afati i fundit për përmbylljen e këtij procesi është 22 qershori. Kjo nuk është hera e parë që ku grup kryen sulme kibernetike ndaj Shqipërisë.

Ky nuk është sulmi i parë që prek Shqipërinë. Dy vjet më parë katër grupe të sofistikuara hakerësh të mbështetur nga shteti i Iranit kryen sulme kibernetike në Shqipëri.

Kjo bëri që Shqipëria të shkëpusë menjëherë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe për këtë kërkoi hetim të thelluar për të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës.