Rezolutë për të “lidhur” Prokurorinë e Posaçme? Rama: Unë i dhashë jetë SPAK-ut, por edhe ai institucion ka probleme

Rezoluta e propozuar nga Partia Socialiste, që synon krijimin e një Komisioni  të Posaçëm Parlamentar, nëpërmjet të cilit do të mund të bëhen ndryshime ligjore, ka ngritur dyshime se është një përpjekje për t’i lidhur duart SPAK-ut, që po godet majtas dhe djathtas.

I pyetur për këto akuza, kryeministri Rama e cilësoi një “muhabet kot”, teksa tha se ishte ai dhe PS që i dhanë jetë SPAK-ut, ndaj nuk mund të mendohet diçka e tillë, edhe pse ai institucion ka problemet e tij.

Sipas tij, do të kërkohet edhe një konsensus me opozitën, në mënyrë që Shqipëria të afrohet sa më shumë me Bashkimin Europian, sepse në fund ky është qëllimi i të gjithëve.

-Pikërisht, një nga çështjet të cilat u akuzuat ju shumë pasi prezantuat këtë platformë, këtë reformë të madhe ishte se do të kapnit drejtësinë, donit të ndryshonit SPAK-un. Në të vërtete ka si synim të prek, se këto janë institucione të reja të drejtësisë.

Kryeministri Edi Rama: Ky është muhabet kot sepse e para një herë, në rast se do të imagjinohej diçka e tillë ajo do duhet të kalonte përmes ndryshimesh të Kushtetutës. E para!

E dyta, si mundemi ne dhe si mundem unë që të kem një synim të tillë kur faktikisht isha unë me Partinë Socialiste që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetjen pa ekuivok dhe deri më sot nuk di të kemi hapur ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK-ut edhe pse si çdo veprimtari tjetër e çdo institucioni tjetër, ka problemet e veta.

Kjo është një mënyrë për ta zvogëluar në perimetrin e gotës së furtunave të politikës së ditës një gjë aq të madhe, të rëndësishme sa ç’është tema e një dallge të re reformimi, saqë nuk ia vlen fare të humbasim kohë për këtë.

–  Keni marrë një sinjal nga opozita që do të bëhet pjesë e këtij komisioni? Do t’i bashkohet këtyre reformave? Ka një komunikim?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam në dijeni të them të drejtën sepse është depozituar draft-rezoluta në Parlament dhe do të vazhdojë të ketë procesin e saj dhe njësoj siç kemi bërë me reformën në drejtësi, ne do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë, në të gjitha rastet pjesën tonë, por në këtë rast është e domosdoshme pikërisht sepse në çështje të caktuara, kërkohet dhe një konsensus më i gjerë në sallën e Parlamentit, pra kërkohen votat, por edhe sepse në fund të ditës, të paktën me fjalë dhe bazuar në programe, të gjitha partitë politike shqiptare, nuk e diskutojnë fare që destinacioni është Bashkimi Europian madje grindja lidhet me kush e çon më shpejt dot Shqipërinë në Bashkimin Europian, të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret e përditshme politike që mund të vazhdojnë normalisht siç kanë vazhduar deri tani në hapësirat e tjera dhe aty të flitet teknikisht dhe të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo të flitet me gjuhën e shthurur të politikës të ditës. Besoj që kjo edhe do të ekspozojë shumë gjëra në pikëpamje të qasjes, nëse ka ende nevojë të ekspozohen gjëra për sa i përket partive politike në Shqipëri.