Tabloidi i njohur Reuters i ka kushtuar një artikull vendimit të Ramës për emërimin e një ministre me Inteligjencë Artificiale që do të merret me menaxhimin e prokurimeve publike, që deri më tani kanë qenë prej kohësh burim skandalesh.
Reuters e cilëson Shqipërinë si një qendër për grupet kriminale që pastrojnë para nga trafiku i drogës dhe armëve në mbarë botën, dhe ku korrupsioni ka depërtuar në nivelet më të larta të pushtetit.
Por edhe pse emëroi një ministër të tillë, Rama nuk dha detaje mbi mbikëqyrjen njerëzore që mund të ketë Diella, apo mbi rreziqet që dikush të manipulojë bot-in me inteligjencë artificiale, teksa përmend edhe disa nga komentet e qytetarëve.
Shqipëria emëron një bot me inteligjencë artificiale si ministre për të luftuar korrupsionin
Një ministre e re në Shqipëri, e ngarkuar me menaxhimin e prokurimeve publike, do të jetë e paprekshme nga ryshfetet, kërcënimet apo përpjekjet për favore. Kjo sepse Diella, siç quhet ajo, është një bot i krijuar nga inteligjenca artificiale.
Kryeministri Edi Rama, i cili është në prag të fillimit të mandatit të tij të katërt, deklaroi të enjten se Diella, që në shqip do të thotë “diell”, do të menaxhojë dhe japë të gjitha tenderët publikë ku qeveria kontrakton kompani private për projekte të ndryshme.
“Diella është anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale,” tha Rama gjatë një fjalimi ku prezantoi kabinetin e ri. Ajo do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku tenderët publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni.”
Dhënia e këtyre kontratave ka qenë prej kohësh burim skandalesh korrupsioni në Shqipëri, një vend ballkanik që ekspertët e konsiderojnë si një qendër për grupet kriminale që pastrojnë para nga trafiku i drogës dhe armëve në mbarë botën, dhe ku korrupsioni ka depërtuar në nivelet më të larta të pushtetit.
Kjo imazh ka ndërlikuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që Rama synon ta realizojë deri në vitin 2030, edhe pse analistët politikë e konsiderojnë këtë një objektiv ambicioz.
Qeveria nuk dha detaje mbi mbikëqyrjen njerëzore që mund të ketë Diella, apo mbi rreziqet që dikush të manipulojë bot-in me inteligjencë artificiale.
Diella u lançua fillimisht në fillim të këtij viti si asistente virtuale me inteligjencë artificiale në platformën e-Albania, duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset të marrin dokumente shtetërore. E veshur me kostum tradicional shqiptar, ajo ofron ndihmë përmes komandave zanore dhe lëshon dokumente me vula elektronike, duke reduktuar vonesat burokratike.
Jo të gjithë janë të bindur. Një përdorues në Facebook shkroi: “Edhe Diella do korruptohet në Shqipëri.” Një tjetër tha: “Vjedhja do të vazhdojë dhe faji do i bjerë Diellës.”
Parlamenti i ri, i zgjedhur në maj, pritet të mblidhet të premten, megjithëse mbetet e paqartë nëse qeveria do të votohet po atë ditë.