Rëndohet situata e zjarreve në vend, flakët rrezikojnë banesat në Gramsh, digjet masivi pyjor te Syri i Kaltër

Situata e zjarreve në vendin tonë është rënduar ditën e sotme, ku vatrat e zjarrit janë përhapur me shpejtësi në Gramsh, Poliçan dhe te “Syri i Kaltër”, mes Sarandës e Gjirokastrës.

Në Gramsh situata është shumë e rëndë, pasi flakët mbi fshatin Sojnik po rrezikojnë banesat, teksa pavarësisht 20 efektivëve në terren dhe 2 helikopterëve në operacion, zjarri vijon të jetë aktiv dhe i vështirë për t’u vënë nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë, temperaturave të larta dhe erës të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve.

Edhe te “Syri i Kaltër” është përfshirë nga flakët një masiv pyjor, teksa helikopterët po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërkohë që turistët janë evakuuar.

Në Poliçan situata vijon të jetë e rëndë, me flakët që ka dalë nga qyteti e po ngjitet në Kapinovë, duke iu afruar Mbrakullës e duke rrezikuar djegien e gjithë këtij fshati.

Erion Braçe ka bërë thirrje që autoritetet të ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e flakëve, pasi është e vetmja zgjidhje.