Rendohen pozitat e zv.kryenministres Belinda Balluku, pas akuzave për “shkelje të barazisë në tendera” për tunelin e Llogarasë.
Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka ngritur një tjetër akuza ndaj numrit 2 të qeverisë, dhe ajo lidhet me Lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Më herët GJKKO pezulloi nga detyra Ballukun dhe njëkohësisht i ndaloi lëvizjen jashtë vendit. Përveç Ballukut, janë vendosur dhe dy masa sigurie “arrest në shtëpie” për dy funksionarë të tjerë, Erald Elezin, kreu i KESH, dhe Gentian Gjyli, kreu i ARRSH.
Mësohet se vendimi është një marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi dhe sot u është dërguar institucioneve për zbatim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, akuzat lidhen me veprimet e ministres Balluku në cilësinë e saj si drejtuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën SH8 (Vlorë–Sarandë).
Sipas SPAK, tenderi në fjalë është zhvilluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa pas anulimit të tij, procedura është rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekë.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, informoi GJKKO.