Rëndohen pozitat e Ballukut, SPAK: ‘Disa të fortë’ kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të saj

Janë zbardhur diksutimet në mbledhjen me dyer të mbyllura në Këshillin e Mandateve, ku po diskutohet imuniteti i ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe të tiranës.

Burime për mediat bëjnë me dije se SPAK ka konfirmuar se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Balluku ka rrezik të prishë prova dhe të kryejë krime të tjera gjithashtu.

Të pyetur nga kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, SPAK thotë se më datë 20 Nëntor 2025, Balluku ka intimiduar dy dëshmitarë, duke kërkuar prej tyre që të ndryshojnë dëshminë.

Po ashtu, prokuroria informon se ka prova se disa “persona të fortë” kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, transkripte të bisedave.

Sipas prokurorisë, Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik apo përndjekje politike nga prokuroria.

“Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e Ballukut, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji”, mësohet të kenë deklaruar prokurorët e SPAK.

Kujtojmë se Këshilli i Mandateve shqyrton sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit, ndërsa çështja pritet të kalojë për votim në Parlament.