Raportuesi i PE për Shqipërinë, Andreas Schieder refuzon të komentojë çështjen “Balluku”, por kritikon opozitën për molotovin

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Një nga çështjet më të debatuara të ditëve të fundit është ai i zv.kryeministres Belinda Balluku, të cilën SPAK kërkon ta arrestojë, por mazhoranca ka shtyrë disa herë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, për të pritur vendimin e gjykatës Kushtetuese.

Schieder refuzoi të komentojë mbi këtë çështje dhe qëndrimin e mazhorancës, teksa tha se Parlamenti Europian nuk komenton çështje juridike apo ligjore, por institucionet duhet të kryejnë punën e tyre.

“Duhet të them se PE nuk komenton çështje juridike apo ligjore, por institucionet duhet të kryejnë punën e tyre. SPAK duhet të bëjnë punën e tyre me gjetjen dhe tyre dhe gjithçka që mendojnë se është e nevojshme dhe ne kemi thënë që të gjitha institucionet të mbështesin punën e SPAK. Sa për Kuvendin e Shqipërisë jam i sigurt që do të bëhen diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura në bazë të kushtetutës”, tha ai.

Por, ndërsa nuk kishte asnjë koment për Ballukun, raportuesi i PE-së nuk ngurroi të kritikonte protestën e opozitës dhe përdorimin e molotovit. Sipas tij, kultura politike në Shqipëri duhet të bëjë një hap para, ku të mos luftohet me molotov, por me argumente.

“Ne si Parlament Europian, mendojmë që ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëj një hap para, të mos dramatizohet çdo gjë, të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë e duan integrimin. Kjo është gjëja më emirë që mund ti tregojë Shqipëria-Europës. Mësova që ka unanimitet për disa çështje të politikës së jashtë, do doja që çështje të tilla europiane të sjellin ndryshimin e kulturës edhe në çështje të tjera.