Prokuroria e Posaçme ka publikuar raportin e veprimtarisë për vitin 2025.
SPAK bën me dije se gjatë vitit të kaluar, ka vijuar intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje me 17.7% të çështjeve/hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve/hetimeve të përfunduara.
Po ashtu SPAK shkruan në raport se ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim.
“Në vitin 2025, SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7% të çështjeve/hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve/hetimeve të përfunduara. Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë ta lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike”, shkruhet në raportin e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK nënvizon në raport se nga hetimet është evidentuar se prokurimet publike janë manipuluar në çdo fazë, nga përgatitja e dokumentacionit deri te ekzekutimi i kontratave.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme, duke cenuar barazinë dhe transparencën.
“Hetimet kanë evidentuar se procesi i prokurimit publik manipulohej në çdo fazë, nga përgatitja e dokumentacionit deri tek ekzekutimi i kontratave. Titullarët e autoriteteve kontraktuese dhe zyrtarët përgjegjës hartonin specifikimet teknike dhe përllogaritjen e fondeve në favor të operatorëve të caktuar, ndërsa ofertat konkurrentëve keq vlerësoheshin eliminoheshin/skualifikoheshin qëllimisht. Kontrolli formal shpesh nuk ishte kryer nga personat kompetentë, duke lejuar një përputhje të planifikuar mes operatorit të preferuar dhe procedurës, ndërsa shpërndarja e fondeve është bërë për shërbime të sajuara ose të zmadhuara artificialisht, duke përfshirë edhe projekte me donatorë ndërkombëtarë. Si rezultat, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme, duke cenuar barazinë dhe transparencën”.
Sipas raportit, “hetimet kanë treguar se, korrupsioni në institucionet publike është i strukturuar dhe i planifikuar, duke përfshirë funksione të ndryshme administrative dhe publike. Në rastet e prokurimeve dhe legalizimeve të pronave, zyrtarët përfitonin nga ana monetare për të favorizuar procedurat, duke bashkëpunuar me operatorë ekonomikë dhe duke manipuluar dokumentacionin dhe fondet limit të tenderave.
Mes të tjerash, SPAK ka renditur edhe sfidat kryesorë në mirëfunksionimin e institucionit, si:
Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.
1. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
2. Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
3. Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase. 5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.
4. Njësia e analizës – Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.
5. Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.
6. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
7. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.
8. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë – Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit”, thuhet në raport.
Ndërkohë në raportin e SPAK thuhet se “gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është rreth 45.4 milionë euro, prej të cilave rreth 43.49 milionë euro, është vlera e aseteve të sekuestruara (rreth 96% e totalit) dhe rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara (rreth 4% e totalit). Në vlerën e aseteve të sekuestruara përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER, USDT, me vlere ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro (vendimi nr.583, date 04.09.2025).
Vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 1.8 milionë euro. Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro.”