Raporti i PPE ngre alarmin: Zgjedhje të deformuara, korrupsion dhe kapje e institucioneve! Shqipëria larg standardeve të BE-së

Raporti i fundit i Partisë Popullore Europiane (PPE), i dorëzuar në Parlamentin Europian për Shqipërinë për vitin 2025, paraqet një tablo shqetësuese për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian, duke evidentuar probleme të thella strukturore që rrezikojnë seriozisht procesin e anëtarësimit.

Në thelb të amendamenteve që shoqërojnë raportin theksohet qartë se Shqipëria nuk do të gjykohet mbi bazën e ligjeve të miratuara në letër, por mbi zbatimin real dhe efektiv të reformave. PPE nënvizon se anëtarësimi në Bashkimin Europian kërkon reforma të thella, të qëndrueshme dhe të pakthyeshme, duke filluar nga shteti i së drejtës deri te funksionimi real i institucioneve demokratike. Sipas dokumentit, pikërisht cilësia e këtyre reformave do të përcaktojë edhe kohën e integrimit të Shqipërisë në BE.

Një nga kapitujt më kritikë të raportit lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, të cilat përshkruhen si të shoqëruara me probleme serioze dhe të përsëritura. Sipas PPE, zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta mes partive, u evidentua përdorim i gjerë i burimeve publike dhe i pushtetit shtetëror nga mazhoranca, si dhe u raportuan raste të shumta të blerjes së votave dhe presionit mbi qytetarët. Dokumenti shkon më tej duke evidentuar presion ndaj administratës publike dhe raste intimidimi, duke theksuar se mungesa e një ndarjeje të qartë mes shtetit dhe partisë në pushtet dëmton rëndë konkurrencën demokratike. PPE thekson se rekomandimet e OSBE/ODIHR vazhdojnë të mbeten të paadresuara dhe kërkon një reformë të thellë zgjedhore, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në konsensus politik, si kusht i domosdoshëm për rikthimin e besimit të publikut në procesin zgjedhor.

Raporti evidenton gjithashtu një problem themelor që lidhet me funksionimin e demokracisë parlamentare në Shqipëri. Sipas amendamenteve, janë bërë ndryshime të njëanshme në përbërjen e komisioneve parlamentare, janë kufizuar iniciativat e opozitës dhe mungon një kontroll efektiv i ekzekutivit nga Kuvendi. PPE nënvizon se një demokraci funksionale kërkon pjesëmarrje reale dhe kuptimplotë të opozitës, si dhe respektim të plotë të pluralizmit politik, duke kërkuar forcimin e mekanizmave të kontrollit parlamentar dhe garantimin e procedurave të drejta për të gjitha palët.

Ndërkohë që vlerësohet progresi i bërë me reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, raporti thekson se sistemi vijon të përballet me sfida serioze, si mbingarkesa e gjykatave me çështje të pazgjidhura, mungesa e efikasitetit dhe rreziku i ndikimeve të padrejta në vendimmarrje. Korrupsioni mbetet një ndër shqetësimet më të mëdha, sidomos në nivelet e larta të qeverisjes, dhe PPE kërkon rezultate konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, duke vënë theks të veçantë te sektorët me risk të lartë si prokurimet publike. Një paralajmërim i fortë jepet edhe për çdo iniciativë që mund të cenojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht SPAK, i cili konsiderohet kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me lirinë e medias, ku raporti vëren një përkeqësim të vazhdueshëm të treguesve ndërkombëtarë, duke evidentuar përqendrimin e pronësisë mediatike, presionin ekonomik ndaj gazetarëve dhe aksesin e kufizuar në informacion publik. PPE kërkon masa konkrete për të garantuar pluralizëm real dhe për të forcuar pavarësinë e institucioneve rregullatore të medias.

Në aspektin e administratës publike, raporti thekson se, pavarësisht disa hapave përpara, mbeten probleme serioze si mungesa e meritokracisë në rekrutime, politizimi i shërbimit civil dhe efikasiteti i ulët institucional. Paralelisht, ekonomia shqiptare përballet me sfida të mëdha, ku vihet në dukje niveli i lartë i informalitetit dhe ndikimi i korrupsionit në klimën e biznesit, duke e bërë atë të paparashikueshme dhe më pak tërheqëse për investitorët.

Raporti ndalet edhe te përdorimi i fondeve europiane, duke shprehur shqetësim për parregullsi serioze të konstatuara nga OLAF në programin IPARD II. Sipas PPE, këto zhvillime kërkojnë transparencë të plotë, mekanizma më të fortë kontrolli dhe rritje të llogaridhënies në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian.

Raporti i plotë: