Raporti i BE-së paralajmëron për rritje të rrezikut terrorist nga Irani, Afganistani dhe veteranët rusë

Një vlerësim për kërcënim i Bashkimit Evropian, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, paralajmëron se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm “paraqesin kërcënim të madh për BE-në”, duke përmendur rreziqet e rritura nga Afganistani dhe Irani, por edhe efektet negative që dalin nga lufta në Ukrainë.

Niveli i kërcënimit në BE, sipas vlerësimit, “mbetet i lartë”, me “terrorizmin islamist/xhihadist” që vazhdon të jetë shqetësimi më i madh. Ky vlerësim i bën jehonë një vlerësimi të EUROPOL-it – agjencisë për zbatimin e ligjit të bllokut evropian – që në mars e përshkroi kërcënimin nga terrorizmi si “akut”.

Dokumenti prej 23-faqesh – që është përgatitur nga Këshilli i BE-së, i cili përfaqëson qeveritë e 27 vendeve anëtare të bllokut – kryesisht mbulon zhvillimet dhe trendët nga viti 2025, në vend se kërcënimet që janë të lidhura me luftën aktuale në Iran.

Pavarësisht kësaj, vlerësimi prapë se prapë paralajmëron se “përshkallëzimi” në Iran ka rritur “shqetësime shtesë, sikurse mundësia e aktivizimit të rrjetit të bashkëpunëtorëve apo celulave të fjetura për të kryer sulme hakmarrëse terroriste brenda Evropës”, veçmas në shtete “me popullsi të madhe apo të konsiderueshme hebraike dhe komunitete myslimane”.

Në Afganistan, ky vlerësim, që ka rrjedhur në media, paralajmëron se Shteti Islamik-Korasan, një degë rajonale e grupit ekstremist, është “një prej kërcënimeve kryesore të jashtme” ndaj kontinentit, duke shtuar se grupi “vazhdon të jetë aktiv, përfshirë përmes përhapjes së propagandës online, duke shënjestruar veçmas të rinjtë”.

Në Evropë këtë vit ka pasur disa sulme të konfirmuara terroriste, por së voni dy burra hebrenj u therën me thikë në Londër, në atë që policia britanike e përshkroi si incident terrorist. Përgjegjësinë për atë sulm e mori Harakat Ashab Al-Yamin Al-Islamia, një grup islamist proiranian, që dyshohet se ka lidhje me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Dokumenti i BE-së përshkruan se si natyra e kërcënimeve ka evoluar: “rrjetet e organizuara terroriste kanë humbur pjesën më të madhe të kapacitetit të tyre të mëparshëm operacional, por potenciali që individë të veçantë të kryejnë dhunë të frymëzuar nga ekstremizmi vazhdon të ekzistojë”.

Ashtu si në sulmin e fundit në Londër, vlerësimi thekson se sulmet dhe komplotet e islamistëve “kryesisht përfshijnë mjete lehtësisht të qasshme dhe jo të sofistikuara, në veçanti armë me teh dhe mjete të forta goditëse, armë zjarri ose mjete të improvizuara shpërthyese dhe automjete, që kanë mënyra të thjeshta operimi”.

Një prirje e re alarmuese që theksohet është rekrutimi i të miturve – madje edhe të moshës 12-vjeçare –veçanërisht në platforma online si Telegram dhe TikTok. Si përgjigje, një nga rekomandimet politike është që BE-ja t’u kërkojë këtyre platformave të ngadalësojnë të ashtuquajturin “amplifikim algoritmik”, gjë që do ta bënte shumë më të vështirë për të miturit të zbulojnë dhe të përfshihen me përmbajtje ekstremiste në internet.

Në vlerësimin për kërcënimet theksohet se “ndikimi i luftës së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në kërcënimin terrorist si në Evropë ashtu edhe globalisht deri më tani ka qenë i kufizuar”. Megjithatë, dokumenti paralajmëron se rrjedha e armëve të vogla dhe eksplozivëve që vijnë nga zona e luftës “do të ketë pasoja në terma afatmesëm dhe afatgjatë”.

Brukseli po ashtu është i shqetësuar për mundësinë që ish-luftëtarë rusë të hyjnë në bllok dhe të përfshihen në aktivitete kriminale ose akte të tjera dhune. Rusia ka rekrutuar rreth 180.000 të burgosur për të luftuar në Ukrainë. Një propozim për vendosjen e një ndalimi hyrjeje në zonën Shengen për këta ish-ushtarë pritet të prezantohet në qershor. REL