Drejtori i AKU-së Tiranë, Ersid Hasanllari, është thirrur në Prokurorinë e Tiranës lidhur me hetimet për helmimin e 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë, disa ditë më parë.
Burime për mediat bëjnë me dije se Hasanllari është thirrur të martën në orën 09:00, në prokurori për t’u pyetur se çfarë veprimesh kanë kryer
Sipas rezultateve të publikuara nga AKU një ditë më parë, nga nëntë mostrat e marra në kompaninë e kateringut “SORI-AL”, tetë kanë rezultuar brenda standardeve, ndërsa një kampion me makarona të gatshme, i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, ka rezultuar i kontaminuar me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
AKU ka bllokuar aktivitetin e kësaj kompanie si dhe i gjobiti me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Ndërkohë, AKU ka urdhëruar edhe bllokimin e kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, deri në dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.