Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me asambletë socialiste të disa njësive në Tiranë u ndal sërish të drejtësia në vend, që ka qenë shënjestër e sulmeve nga kreu i qeverisë që prej arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj.
Rama teksa mori si shembull vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, tha se ‘arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj pa gjyq ishte i paligjshëm’.
Kryeministri e quan të paligjshëm arrestimin e Veliajt, ndaj të cilit rëndojnë akuzat: korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në masën “detyrim paraqitje”.
Kreu i qeverisë nuk la pa sulmuar edhe gjyqtarin Erion Bani, që firmosi arrestimin e Veliajt, duke pretenduar se gjykatës që kanë frikë nga prokurori janë problem.
Rama tha se t’i kërkosh drejtësisë së re të mos të bëjë gabime, është sikur t‘i kërkosh fëmijës të shkruajë 3 gjuhë të huaja pa mësuar asnjë abetare.
“Sot, Gjykata e Strasburgut nxori të paligjshëm arrestimin pa gjyq të ish-drejtorit të Radio Televizionit. Unë nuk e di fare, hiç! E as nuk kam për ta komentuar, edhe sikur ta di, nëse “është i fajshëm ose i pafajshëm, gjykata e ka nxjerrë të fajshëm”. Por ama, si e kanë nxjerr të fajshëm, si e ka nxjerr të pafajshëm gjykata, kjo është temë tjetër. Arrestimi pa gjyq është i paligjshëm! Dhe mjafton të lexosh vendimin e Strasburgut për të kuptuar se sa shumë nga këto arrestime të paligjshme do t’i paguajë nesër taksapaguesi shqiptar në formën e dëmshpërblimit.
Pse? Pse duhet ta marrësh tjetrin, ta fusësh në burg pa gjyq, për të treguar që je i fortë? Për të treguar që je ti e s’ka tjetër këtu? Apo për të treguar që prokuroria dhe gjykata janë e njëjta gjë si në komunizëm? Dhe kjo, më shumë sesa për SPAK-un, është një këmbanë që bie për gjykatësit. Gjykatësit janë aty për të qenë të drejtë, të barabartë, të paanshëm, të pavarur, profesionistë e të tjerë, e të tjerë. Nuk janë aty për të mbajtur anën e prokurorit. Prokurori ka punën e vet, gjykatësi ka një punë tjetër.
Dhe gjykatës që bëjnë marrëveshje me prokurorin përpara, apo që kanë frikë nga prokurori, gjykatësit, dhe që bien dakord që të kapin e të fusin njerëz pa gjyq në burg, janë problem. Një njeri një, jo kaq shumë sa. Po ju them unë kanë për të dalë komplet viktima për arrestimin pa burg flas për burgun është komplet gjë tjetër dhe madje pikërisht se është gjë tjetër është një argument për të thënë se: -Ti nuk ke pse e merr tjetrin peng përpara. Si ke ngritur akuzën, si i pandehur? I ke ngritur një akuzë si i dyshuar! “Tani, unë dyshoj për ty. Hajde, njëherë me mua të futesh mrenë, që unë të kërkoj prova që ti je siç unë mendoj që ti je?” Po kush je ti?! Kush je ti?!
Po 250 mijë njerëzit që kanë votuar? Çfarë janë ata? Apo janë kot?!
Po një kontratë me këtë milet, që duhet ta zbatojë një pushtet i zgjedhur, apo është kot? E kush duhet t’i ndjekë gjithë 1001 punët dhe të mbajë përgjegjësi për votën që i kanë dhënë njerëzit? Prokurori? Apo Noci? Këto nuk shkojnë, dhe për këto më vjen keq, po ne nuk do rrimë pa folur”- u shpreh Rama.