Rama: Tokat shtetërore do t’i japim me 1 euro vetëm për hotelet, jo për vila e pishina

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se shteti nuk do të japë më asnjë metër tokë për ndërtuesit, siç është bërë në vitet e kaluara.

Sipas tij, toka shtetërore do të jepet me çmimin simbolik 1 euro vetëm për hotelerinë, dhe nuk do të jepet më për vila e pishina.

Rama tha se për ndërtuesit që kërkojnë të marrin tojën shtetërore, shteti ka kushtëzuar pjesëmarrjen si pronar, duke marrë mbrapsht atë që i takon.

“Nuk japim më asnjë metër katror tokë në rast se një ndërtues gjendet në kushtet kur toka është shtetërore. Në të shkuarën ndërtuesi paguante me çmim referencë dhe merrte tokën. Për çdo metër katror tokë ku pronar është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronar, për të marrë mbrapsht atë që i takon shtetit. I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike, 1 euro, është hoteleria.

Në rast se dikush ka pronë private dhe një pjesë është shtet, nuk bën vaki më që pjesa shtetërore të jepet për vila e për pishina, por vetëm për hoteleri.

Në këtë drejtim, bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm, me përfitim që shkon nga ndërtimi i aseteve publike, që do të thotë, shkolla, çerdhe, deri te përfitimi i të ardhurave të drejtpërdrejta”, tha Rama.