“Njollë turpi në historinë e Europës demokratike”, e ka cilësuar kryeministri Rama detyrimin e shqiptarëve nga Greqi për të ndërruar emrin.
Këtë deklaratë Rama e bëri ne takimin me emigrantët shqiptarë në Itali, në një supm direkt ndaj shtetit fqinj.
“Motra e vëllezër, mora shumë mesazhe nga shqiptarët në Itali pas valles kuqezi në zemër të Greqisë. Në më shumë se një rast më thonin që kur të vija në Milano nuk duhet të harroja se edhe ju keni vuajtur. Ndjeheshit të përjashtuar nga një garë dhimbjeje.
Shqiptarët në Itali nuk u detyruan të ndryshojnë emrin si në Greqi. Gjë që është një njollë turpi në historinë e Europës demokratike”, tha ai.
Rama nuk ngurroi të sulmojë edhe opozitën në Shqipëri, pasi tha se ‘1 milionë shqiptarët e larguar’ janë një gënjeshtër e ligë.
“1 mln shqiptarët të larguar. Është gënjeshtër e ligë dhe e turpshme njëlloj si ajo e autobuzëve të ardhur nga Tiranë që ofendon dinjitetin patriotik të shqiptarëve të Greqisë që u shkrinë si lumi në det në atë përqafim kuqezi të Athinës për të treguar dashurinë, për të shprehur mallin e manifestuar krenarinë për Shqipërinë.
E vërtetë është që në 10- vite kanë ikur më shumë se shqiptarë se sa janë kthyer. Por Shqipëria e narkoshtetit, e mbytur në korrupsion, ku nuk ka as punë e shpresë, është një Shqipëri që ekziston vetëm në humnerën e gojëve që përndjekin tokën e fëmijëve të Shqipërisë që në 1912. Që prej asaj ditë më të ligjtë e armiqve të vet Shqipëria i pati nga radhët e parisë së vet.
Shqipëria ka një luftë të madhe me krimin e korrupsionin, të trashëguar nga shekuj ndarje të dhunshme me Europën.
Shqipëria sot ka fituar besimin e botës dhe meriton besimin e çdo shqiptari si ju që e di se asgjë nuk arrihet pa mund e sakrifica”, tha Rama.