Zaptimi i hapësirave publike/ Rama shkon sërish në Vlorë, ‘inspekton’ porositë e lëna

Kryeministri Edi Rama ndodhet sërish në Vlorë, pak ditë pasi “shkundi” Bashkinë e qytetit bregdetar, ku pas ultimatumit të tij, dhanë dorëheqjen të gjithë drejtorët.

Raportohet se kreu i qeverisë ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hënë në Vlorë, ku është parë duke hyrë në Bashki. Ai do të takohet me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe deputetët e këtij qarku.

Sipas burimeve në takim do të flitet për një sërë problematikash, punësh të mbartura, turizmin, hapësirën publike, rendin dhe sigurinë, pastërtinë në qytet por nuk do të mungojnë as diskutimet për investimet.

Ditët e fundit, Vlora ka qenë në fokus të Ramës, lidhur me lirimin e hapësirave publike, e sidomos në zonën e Lungomares.

Ai u ka bërë disa here thirrje bizneseve pranë Lungomares që të heqin karriget dhe tavolinat që kanë bllokuar trotuaret dhe hapësirat publike.

“Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!“-ishte paralajmërimi i Ramës.