Rama pritet të shpallë qeverinë e re, zbardhet agjenda e Asamblesë së PS

Të enjten e 11 shtatorit, do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Ndërkohë është zbardhur edhe agjenda e Asamblesë, e cila do të nisë në orën 9:30 me miratimin e rendit të ditës dhe më pas me fjalën e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë Asamblesë pritet që kryesocialisti Rama të prezantojë ndryshimet dhe surprizat sa i takon emrave të qeverisë së re, pas fitores së PS në zgjedhjet e 11 Majit, ku arriti që të merrte 83 mandate.

Përgjatë këtyre ditëve të vendit, kryeministri ka pritur në zyrë disa prej anëtarëve të kabinetit të tij, por nuk dihet nëse ata do të rikonfirmohen edhe për qeverinë Rama 4.

“Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftojmë se më datën 11.09.2025, ora 09.30, tek kompleksi “Xibraku” do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me këtë rend dite:

1. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës

2. Fjala e kryetarit të PS Edi RAMA

3. Mendime, pyetje dhe diskutime

4. Të ndryshme

Pjesëmarrja juaj është e domosdoshme për vijimin e punimeve të Asamblesë”, thuhet në njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste Blendi Klosi.