Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin e Partisë Socialiste teksa këkron mandatin e katërt në krye të vendit.
Teksa u ndal në disa fusha, Rama premtoi se duke nisur nga janari i 2026, paga mestare në Shqipëri do të shkojë në 500 euro.
“Vazhdojmë me pagën minimale në vitin 2013, kur ne e morëm detyrën, paga minimale ishte 157 euro. Sot, 2024 u mbyll me pagën minimale 400 euro dhe duke filluar nga janari 2026 me një vendim që do të merret pas zgjedhjeve kur do të bëhet edhe akti normativ i qershorit, paga minimale do të jetë 500 euro”- u shpreh Rama.
Sa i takon arsimit, Rama tha se gjatë mandatit të katërt do të ndërtohen 200 shkolla të reja. Po ashtu ai premtoi rritje pagash për mësuesit, ku paga mesatare e tyre do të shkojë nga 950 në 1250 euro.
“Paga mesatare e mësuesve. Paga mesatare e mësuesve është dyfishuar krahasuar me kohën kur ne e morëm detyrën. Ishte 420 euro në vitin 2013 dhe sot është 950 euro. Ndërkohë që në Shqipërinë 2030, mësuesit do të kenë një pagë mesatare 1250 euro”.
Rama tha se mandatin e katërt do të ngrihet shoqëria publike e transportit shkollor, e cila do të kryejë transportin falas të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Po ashtu se synohet që numri i laboratorëve inteligjentë në shkolla të shkojë në 1 mijë nga 340 që janë aktualisht.
“Brenda vitit 2026, shkollat do të mbrohen. Siguria në shkolla do të garantohet me kamera inteligjente dhe ulja e bullizmit, e mungesave apo e kopjeve në klasë, do të jetë drastike. Është një projekt i përfunduar, është një financim i nënshkruar dhe thjeshtë e vetëm tani është vetëm realizimi i projektit.
Mandatin e katërt do të ngrihet shoqëria publike e transportit shkollor, e cila do të kryejë transportin falas të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas dhe do të mbyllë dhe epokën e parave që jepen për transportin dhe shkojnë në lloj-lloj duarsh, në lloj-lloj kompanish, në lloj-lloj mikrobuzash, në lloj-lloj furgonash”, tha Rama.
Rama foli për pagat e mjekëve dhe infermierëve, duke theksuar se janë rritur nga viti 2013 kur morën detyrën për herë të parë. Megjithatë, tha se deri në vitin 2030, pagat e mjekëve do të prekin nivelin 2000 euro.
“Në Shqipërinë 2030 ne duam që paga e mjekëve të shkojë të prekë tavanin e 2000 eurove“.
Kryesocialisti tha qeveri e tij në mandatin e katërt do të ndërtojë edhe 700 kilometra rrugë të reja.
Do të realizohen: Rruga e shumëpritur Tiranë-Krujë, Berat-Çorovodë do të jetë një rrugë e parametrave dhe e standardeve europiane. Ersekë-Leskovikë, Rrëshen-Burrel, Tepelenë-Vlorë, rruga e vjetër; Skrapar-Gramsh, Kryqëzimi i llixhave, Elbasan-Gramsh. Këto janë arterie të brendshme”, tha Rama.
“Nuk do të ketë më policë nëpër rrugë, njerëz që dalin nga ferra. Synimi është që e gjithë kjo infrastrukturë të përfundojë. Bindja është që do të përfundojë pasi janë të gjitha të financuara”, tha Rama
Kryeministri Edi Rama u ndal sërish edhe te drejtësia në vend, duke thënë se PS është e vetmja forcë që garanton reformën në drejtësi. Një deklaratë që Rama e ka bërë shpesh, edhe pse ai e sulmoi SPAK-un, pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj.
“Vetëm sot, vetëm në këto vite të fundit, falë reformës në drejtësi, falë rrugës që ne, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër, i hapëm drejtësisë së re, shqiptarët po shohin përpjekjen e parë në histori për të vendosur barazinë para ligjit”- tha mes të tjera Rama.