Rama premton nga parku eolik i Tropojës: Futet në prodhim brenda 1 viti, fitojmë pavarësinë nga prodhimi i energjisë vetëm nga uji

Kryeministri Edi Rama ka vizituar ditën e sotme parkun eolik të Tropojës, një projekt që po zhvillohet me kompaninë amerikane CWP.

Në fjalën e tij, Rama tha se ky park do të futet në prodhim energjie brenda 1 viti, dhe vendi ynë është gati për të fituar pavarësinë e prodhimit të energjisë elektrike vetëm nga uji.

Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria jo vetëm që nuk do të blejë energji, por do të fillojë shitjen e saj.

“Shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet dhe në harkun e 12 muajve pa llogaritur periudhën kur dimri është intensiv, ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë dhe rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë që siç e patë në hartën e pranisë së saj në Europë ka marshuar në disa vende para se të arrinte në Shqipëri, kam besim që do të përfitojmë dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe veprimit në një sektor kaq strategjik.

Ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe rrugën e përmbushjes së objektivit për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë. Për një periudhë të gjatë kishim një varësi të plotë nga uji, dhe kemi trashëguar një sistem me aq shumë të çara, sa kur na ka munguar shiu kemi blerë sasi të mëdha energjie me çmime të kripura por kjo po shkon drejt fundit. Do jemi në kategorinë e atyre vendeve që kanë pavarësi të plotë”, tha ai.