Rama planifikon ndryshime të tjera në qeveri, kush janë ministret që pritet të bien nga “froni”

Emërimi i Taulant Ballës si ministër i Brendshëm pas shkarkimit të Bledi Çuçit nuk do të jetë i vetmi për qeverinë “Rama 3”.

Në kryeministri po flitet gjithnjë e më shumë për ndryshime të tjera në qeveri, pasi Rama nuk është i kënaqur me performancën e tyre. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka pritet të jetë një nga ministret që do të shkarkohet, pas skandaleve të shumta që e kanë përfshirë. Ajo është një nga ministret më të akuzuara nga opozita, për shkak se bashkëshorti i saj ëhstë shpallur edhe investitor strategjik nga qeveria, duke përfituar sipërfaqe të mëdha toke në bregdet.

Gjithashtu, mandati i Olta Xhaçës duhet të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, por mazhoranca ka arritur ta zvarrisë këtë proces, për të mos e lënë ministren në duart e drejtësisë. Frida Krifca që prej disa vitesh drejton Ministrinë e Bujqësisë, do t’i duhet t’i lërë vendin një tjetër socialisti. Mesa duket, kritikat e shumta nga Erion Braçe për ministren kanë rënë në veshin e Ramës, që duket se e ka zgjedhur edhe ministren e radhës. Por ky ndryshim i ministres Krifca lidhet edhe me një ngjarje të fortë pas vendimit të Komisionit Europian mbi ndalimin e fondeve për bujqësinë, për shkak të korrupsionit.

Milva Ekonomi drejton një ministri të re, atë të Standarteve dhe Shërbimeve, por edhe ajo duket se nuk i ka përmbushur pritshmëritë e Ramës. Ndërkohë, Elisa Spiropali pritet të lërë detyrën si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për t’u ngritur në detyrë. Burime bëjnë me dije se ajo do të marrë Ministrinë e Jashtme ose atë të Bujqësisë, pasi është një nga personat më të besuar të kryeministrit.