Rama paralajmëron ‘listë të zezë’ me ndërtuesit që shkelin lejen! Arkitektët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për projektet që devijohen

Teksa mori pjesë në prezantimin e një start up-i të krijuar nga të rinjtë, për financimin e sektorit të ndërtimit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një plan të ri masash në industrinë e ndërtimit.

Rama tha se qeveria do të krijojë një ‘listë të zezë’ për ndërtuesit që shkelin lejet, të cilët do të përjashtohen nga marrja e lejeve të reja.

Kreu i qeverisë paralajmëroi përgjegjësi ligjore për arkitektët në rast se ndërtimi ka devijuar nga projekti për të cilin është dhëna leja.

“Projektet me arkitektë të huaj kanë ngjallur një interes të shtuar që tani ka nisur të shtrihet edhe në fushën e investitorëve. Nuk është më një interes i investitorëve. Nga ana tjetër është besueshmëria e vetë projektit për t’u realizuar ashtu siç arkitekti e ka paraparë, jo që të merret leja me projektin dhe ne fund të përfundojë që as arkitekti nuk e njeh. Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë. Si do të arrijmë që projektet ti realizojmë besnikërisht. Bëhet ajo punë bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet ajo punë për ti filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, i jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volume, këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë”, tha ai.

Kryeministri theksoi më tej se të gjitha kantieret do të pajisen me kamera sigurie për monitorim 24 orë: “Kantieret e ndërtimit do kenë kamera 24 orë. Kjo gjë do t’iu vlejë dhe juve në ndjekjen e punës dhe praktikën tuaj. Është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit”.