Rama nuk ndalet për Ballukun: Si do ia bëjmë për lejet e ndërtimit që nuk jepen dot pa firmosur ministrja

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim në lidhje me pezuzllimin nga detyra të zv.kryeministres, Belinda Balluku nga GJKKO, çështje të cilën qeveria shqiptare e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një video-mesazhi në rrjete sociale, Rama shprehet i shqetësuar në lidhje me lejet e ndërtimit dhe investimet në infrastrukturë, për të cilat Balluku nuk firmos dot.

Për Ramën, vendimi i GJKKO për Ballukun, e pandehur nga SPAK për dy tendera, krijon një precedent të rrezikshëm, ndërsa shton se nuk po ndërhyn në punën e gjykatësit, që përveç pezullimit nga detyra, vendosi edhe ndalimin për të dalë jashtë vendit për numrin dy të qeverisë.

“Shembujt që unë sjell, i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri. Ministri i pezulluar jo vetëm që nuk firmos dot vetë asgjë. Por bën që askush tjetër të mos marrë dot vendim dhe të firmosë. Ndaj edhe është absurd si koncept sepse është bllokim i krejt zinxhirit vendimmarrës për sektorët që ministri mbulon, Dhe ndër gjërat që janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore. Po me 35 vendime të tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në infrastrukturë, godina publike, që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar. Si do ja bëjmë? Këto janë punë të bllokuara që do shtohen çdo ditë, prandaj kam shkuar në Kushtetuese. Nuk ndërhyj në punën e gjykatësit në fjalë”, tha Rama.