Rama në SPAK për çështjen “McGonigal”? Kreu i SPAK: Nuk ka rëndësi emri apo pushteti, po presim momentin…

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i pyetur nëse kryeministri Edi Rama do të thirret në SPAK për t’u pyetur në lidhje me çështjen “McGonigal”, u shpreh se çdokujt do t’i duhet në një moment të japë llogari, pasi nuk ka rëndësi pushteti apo emri që ka një individ.

Dumani tha se çështje “McGonigal është regjistruar në janar të vitit 2022, por do duhet të pritet momenti kur të ketë diçka konkrete për ta publikuar.

“Nuk mund të përgjigjem për pyetje të caktuara. Nuk ka rëndësi emri, por provat, dhe nuk ka rëndësi pushteti që ka. Në një moment, do t’i duhet kujtdo që të vijë dhe të japë llogari në SPAK apo gjykatë. Ne jemi të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh, edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media, në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe deri para 2-3 muajsh, kemi marrë kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e Mc Gonigal. Gjithë kritikët duhet të ndjehen të zhgënjyer se e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar”, u shpreh altin Dumani.