Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin qeverisës të Partisë Socialiste për mandatin e katërt, ku pjesa më e madhe e premtimeve ishin ato që nuk i ka mbajtur në mandatet e mëparshme.
E vetmja gjë për të cilën Rama po flet më shumë se herët e tjera, e tek e cila ka përqëndruar gjithë fushatën, është pasaporta e Bashkimit Europian për qytetarët shqiptarë.
Sot, ai zbuloi edhe një model të pasaportës europiane të qytetarëve shqiptarë, kur vendi ynë të anëtarësohet në BE, teksa vijoi të thotë si në çdo fjalim se shqiptarët vijojnë të kenë kontrolle të shtuara në porte e aeroporte pavarësisht se udhëtojnë pa viza.
Por, premtimi për pasaportën europiane ka nisur që në vitin 2013, ku në programin qeverisës së bashku me ish-LSI-në, premtohej se vendi do të anëtarësohej në BE brenda mandatit të parë.
Vitet kaluan, 3 mandate po ashtu, por pasaporta e BE-së ngeli sërish një ëndërr në sirtarin e qytetarëve shqiptarë. Koha tregoi se duket e pamundur që një qeveri e përfshirë në dhjetëra skandale të mëdha ta rreshtojë Shqipërinë krah vendeve të tjera të unionit.
Edi Rama e di shumë mirë teorikisht anëtarësimin në BE, por ngec në praktikë, pasi nuk arrin të kontrollojë ata që i hanë dardhë e kumbulla pas shpine.
Tashmë që çdo shqiptar e pa se si do të ndryshojë pasaporta e tij, ka ardhur koha që të ndryshohet edhe qeveria, në mënyrë që të përfitohet kjo pasaportë.
Politika e vjetër ka treguar se nuk ka asnjë shans ta anëtarësojë Shqipërinë, ndaj shqiptarët e kanë mundësinë të shkojnë drejt të rinjve shumë shpejt. 11 Maji është afër, e ardhmja e Shqipërisë është në dorën e shqiptarëve!